Mbrojtësi i Italisë, Leonardo Bonucci, e ka cilësuar fitoren e ekipit të vet kombëtar kundër Spanjës në gjysmëfinale të Euro 2020 si më të vështirë në karrierën e tij si futbollist. Italia e Bonuccit e mposhti Spanjën në penallti, duke e siguruar një vend në finale kundër Danimarkës ose Anglisë. Të kaltrit e kishin fitoren në dorë pas golit të epërsisë që Federico Chiesa e shënoi në minutën e 60-të, por Alvaro Morata e barazoi rezultatin 10 minuta para fundit, për ta çuar ndeshjen në shtesë ku nuk pati gola më. Bonucci u shpreh krenar pas ndeshjes për mënyrën sesi Italia i bëri ballë një Spanje sulmuese dhe tregoi gjakftohtësi në penallti për ta siguruar finalen në kërkim të një trofeu të madh.
“Kjo është ndeshja më e vështirë që e kam luajtur. E uroj Spanjën për lojën që tregoi, por përsëri Italia tregoi zemër, përkushtim dhe aftësi për t’i tejkaluar çastet e vështira dhe lotaria e penalltive na shpërbleu”, tha Bonucci. “Fitorja për të cilën vuan është gjithmonë më e këndshmja”, shtoi ai. Italia do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Anglisë dhe Danimarkës në finalen e Wembley më 11 korrik.