Portugalia, e ballafaquar me një rritje të shifrave të infeksioneve për shkak të variantit Delta, do të rivendosë që sonte një shtetrrethim në 45 komuna, përfshirë Lisbonën, njoftoi qeveria.

“Ne vërejmë se javën e kaluar situata është përkeqësuar sërish”, tha sekretarja e përgjithshme e presidencës, Mariana Vieira da Silva në një konferencë për shtyp.“Nuk janë përmbushur ende kushtet për të thënë se pandemia është nën kontroll”, theksoi ajo.

Ky shtetrrethim do të zbatohet për komunat më të prekura për sa i përket incidencës së Covid-19, përfshirë kryeqytetin portugez dhe Porton, çdo ditë nga ora 11:00-05:00. Reduktimi i orëve të bareve dhe restoranteve, tashmë i vendosur në Lisbonë dhe në dy komuna të tjera, do të shtrihet gjithashtu në 16 qytete të reja.

Portugalia kaloi 2 000 raste të reja në 24 orë të mërkurën, sipas autoriteteve shëndetësore. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga mesi i shkurtit, kur vendi me 10 milionë banorë ishte nën kontroll të rreptë.

Në Portugali, më shumë se 50% e popullsisë tashmë ka marrë dozën e parë dhe 32% janë vaksinuar plotësisht. Që nga fillimi i pandemisë, Portugalia ka regjistruar 17 101 vdekje dhe 882 002 raste.