Goditje, muskuj dhe mbi të gjitha shumë uri. Cristiano Ronaldo nuk dëshiron të ndalojë së qeni i fortë dhe “rimorkion” Juventusin e tij, edhe nëse bardhezinjtë nuk ishin në gjendje të fitonin titullin sezonin e kaluar, pas nëntë vitesh me radhë. Por, sigurisht nuk mund të jetë faji i portugezit, i cili shënoi 29 gola dhe mori trofeun e shënuesit më të mirë të Serie A, si dhe atë të “Euro 2020”, me 5 gola.

Në moshën 36-vjeçare, pesë herë “Topi i Artë” duket më i fortë se gjithçka, edhe me kalimin e kohës. Shkencëtari i sporteve Craig Lewis punoi së bashku me portugezin për shtatë muaj, më 2010, dhe zbuloi atë që qëndron prapa kësaj makinerie golësh e trofesh. Asnjë lajm, por konfirmime të rëndësishme për mënyrën e tij të të qenurit profesionist.

“Palestra është vendi i tij i preferuar, përmirësimi është sfida e tij e përditshme. CR7 ka disa udhëheqës shumë të fortë në jetën e tij: të njëjtët, që e kanë lejuar atë të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë, së bashku me rivalin Lionel Messi”, – thotë Craig Lewis, i cili nuk i harron shtatë muajt e kaluar së bashku me sulmuesin më 2010. Atë e ftoi ish-trajneri i Portugalisë, Carlos Queiroz, për ta angazhuar në kuadrin e Kupës së Botës.

Lewis e kishte fituar atë rol falë ndërmjetësimit të një shoku të familjes, por ajo aventurë nuk mbaroi siç prisnin të gjithë: vetëm një gol për CR7, eliminimi ndaj Spanjës në 1/8 finale. Ama, ajo periudhë i shërbeu për të parë se si funksionon një fenomen. Ai foli për portugezen “ExpressSport”: “Cristiano punon mrekullisht. Nëse aplikoni seanca opsionale, ai do t’i bënte të gjitha. Ronaldo do të ishte gjithmonë një nga lojtarët që do të kishin kohë shtesë në palestër. Ai është profesionist absolut dhe kjo është arsyeja pse qëndron ende në krye. Ronaldo e di se çfarë duhet të bëjë dhe si të luajë”.

Sot, Lewis kupton se ka qenë i privilegjuar: “Kur i jetoni ato momente nuk i vlerësoni plotësisht. Unë kam punuar mirë në Afrikën e Jugut, por kisha një përvojë surrealiste me Portugalinë. Aty kam trajnuar lojtarët më të mirë në botë. Përveç Ronaldos ishin gjithashtu Ricardo Carvalho, Luis Nani, Fabio Coentrao, Paulo Ferreria dhe Eduardo. Puna me ta dhe me një trajner si Queiroz ishte e jashtëzakonshme”.