Arkitekti italian Stefano Boeri, së bashku me nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, inspektuan ecurinë e punimeve në lagjen e re “5 Maji”, aty ku do strehohen familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Boeri tregoi disa detaje nga projekti.

“Arkitektura, në këtë rast, përdor elementë të gjelbërimit, natyrës. Në lagjen e re “5 Maji” do të ketë të gjitha shërbimet në dispozicion të komunitetit. Gjithashtu, po përfshihet ideja për përdorimin e hapësirave publike të hapura, si çatitë, oborret, ballkonet“, tha Boeri.

Arkitekti italian vlerësoi arkitektët e rinj shqiptarë që po zbatojnë me profesionalizëm projektin e realizuar prej tij.

Ndërsa, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani shprehu bindjen se kjo do të jetë një nga lagjet më të mira, me të gjitha shërbimet e nevojshme, në kryeqytet.

“Do të jetë një lagje e mirëfilltë, me të gjitha shërbimet dhe hapësira të gjelbra. Hapësirat e përbashkëta janë jo vetëm për njerëzit që janë në këtë zonë, por edhe për ata që punojnë dhe ata që kalojnë kohë gjatë ditës“, nënvizoi ajo.

Lagjja e re e projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri, po ndërtohet nga themelet për 11 mijë banorë.