Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa do të vijë në Shqipëri për të folur rreth festivalit “Sunny Hill” dhe ndërtimit të kopshtit të ri në Tiranë.

Lipa do të jetë e shoqëruar nga babai i saj, Dukagjin Lipa, me të cilin do të mbajë një konferencë për mediat. Fokusi i vizitës së Dua Lipës në Shqipëri është festivali, i cili u zhvillua për herë të parë në vitin 2018 në Prishtinë.

Artistja e njohur do të flasë edhe për kontributin që jep me ndërtimin e kopshtit të ri në Tiranë, të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Ndërkohë, mbetet për tu parë se cilat janë planet e Dua Lipës për organizimin e festivalit Sunny Hill në Shqipëri. Qëllimi i realizimit të këtij festivali është që të mblidhen para për Fondacionin Sunny Hill.

Suksesi i madh u vu që në vitin e parë në Prishtinë pasi pati më shumë se 18 mijë persona të pranishëm. Aty pati të ftuar artistë nga Shqipëria, Kosova por edhe emra të tjerë të njohur të muzikës, edhe të tjerë me famë ndërkombëtare si Action Bronson dhe Martin Garrix.

Ndërsa vitin e dytë, surpriza ishte artistja me famë botërore, Miley Cyrus apo dhe Dj i njohur ndërkombëtar Calvin Harris.