Leonardo Spinazzola dha një intervistë ekskluzive për Tg1. Anësori verdhekuq tha se do të bashkohet me grupin axurr për finalen e “Euro 2020”, do t’i mbështesë shokët e kombëtares: Të shtunën do të kthehem te djemtë, premtimi është mbajtur. Ata më dhanë mua një mbrëmje të pabesueshme kundër Spanjës. Jemi një ekip i shkëlqyeshëm, unë hyra në zemrat e tyre, jemi si një familje. Ky është një emocion i bukur.

Imazhet televizive treguan mbështetjen e të gjithë ekipit për të: “Pashë Insigne me fanellën me numrin 4. Ai ishte i shkëlqyeshëm, por i shkonte për shtat numri im… Pas ndeshjes kryem një video-telefonatë dhe shokët e kombëtares më kënduan: Olè , olè, ole. Ishte diçka e bukur”. Duke folur për finalen kundër Anglisë, mbrojtësi i pafat, që këputi tendinën e Akilit në çerekfinale ndaj Belgjikës, pastaj u operua dhe do të rrijë larg fushave deri në janar, shtoi:

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Anglia është një ekip shumë i fortë, luajmë në ‘Wembley’, stadiumin e tyre. Sidoqoftë, do të jetë edhe më e bukur të dëgjojmë vërshëllimat e anglezëve, do të na japin energji. Unë do të jem atje. Me paterica do të brohoras dhe do të gëzohem. Nëse fitojmë, do të jetë një rrëmujë për mua, sepse do të duhet të shkoj të kërcej me të gjithë. Shpresoj të kërcej me një këmbë, gjatë gjithë kohës. Do t’i inkurajoj shokët e mi në avion, duke iu thënë: Djema, edhe unë jam këtu.