Rinovimi i kontratës së Paulo Dybala. Ky është një nga përparësitë e mëdha, që Juventus i ka vendosur vetes. Klubi bardhezi dëshiron ta “çimentojë” kampionin argjentinas, duke shmangur kështu mundësinë që i njëjti futbollist, brenda pak muajsh të bëjë marrëveshje me klubet e tjera.
Siç dihet, në fakt, kontrata që lidh “Joya” me “Zonjën e Vjetër” do të skadojë më 30 qershor 2022, ndaj gjetja e një marrëveshje të re për zgjatjen e bashkëpunimit brenda një kohe të shkurtër është bërë nevojë ulëritëse. Kontaktet e para me përfaqësuesit e lojtarit kanë filluar disa kohë më parë, por negociatat tani mund të zhvillohen vërtet.
Agjenti i Paulo Dyabal, Jorge Antun, arriti në Itali pikërisht për të folur me menaxherët e Juventusit. Ai do të duhet të respektojë një periudhë karantine tani, që do të zgjasë për dhjetë ditë, siç kërkohet nga protokolli i pandemisë në Itali, pastaj do të jetë në gjendje të takohet fizikisht me menaxhmentin e lartë bardhezi, vetëm pak para fundit të javës së parë të gushtit.
Palët do të dëgjojnë njëra-tjetrën gjatë këtyre ditëve dhe do të vazhdojnë negociatat me qëllimin për të kuptuar nëse dhe kur mund të gjendet një marrëveshje. Juve po synon mirëkuptimin, ndërsa Dybala e di se kjo mund të jetë “beteja” e parë themelore e atij që duhet të jetë sezoni i shpërthimit të vërtetë me fanellën e “Zonjës së Vjetër”.