Nga Alfred Peza/

Kuvendi Kombëtar i PD tregoi se opozitarët tanë nuk dijnë të bëjnë gjë tjetër, veçse të rrotullohen rreth vetes derisa tu meren mendtë dhe për këtë, të akuzojnë kundërshtarin politik. Asgjë e re nuk ndodhi nga fronti opozitar, përveçse u zbulua armiku i radhës, i cili guxoi të thoshte disa të vërteta publikisht në sallë nga ato që të gjithë i flasin vetëm nëpër tavolina. E vetmja telajo mbi të cilën po garojnë se kush e kush të hedhë më shumë bojë të zezë, është ajo mbi të cilën po riprodhohet tabloja 30 vjeçare e historisë së PD, ku portreti i heroit të djeshëm me emrin Mark Marku është bërë sot i targetuari i radhës për tu gozhduar në tabelën e zezë! Kaq mjafton për të kuptuar se partia kryesore e opozitës shqiptare, e ka humbur përfundimisht jo vetëm arsyen por edhe rrugën drejt pushtetit, mu brenda oborrit të SHQUP.

Për lidershipin e opozitës sonë e vërteta nuk ekziston më, sepse ajo është si edhe PD, veç pronë private e Sali Berishës. Për të gjithë ata që kanë ambicje për të bërë karrierë politike brenda PD, humbja në zgjedhjet e radhës është veçse fitore sepse kështu thotë Lulzim Basha dhe ata, as që duhet të guxojnë ta mendojnë ndryshe. Të bëhesh sot pjesë e forumeve drejtuese të PD, sa më e thellë dhe e turpshme humbja në betejën politike të radhës, aq më shumë duhet të shfaqesh i gëzuar duke e konsideruar atë si fitoren më të jashtëzakonshme nën udhëheqjen e ndritur e ëndrrapamëse të Lulzim Bashës.

Të ngjitesh lart në hierarkinë e opozitës së sotme, e vetmja aksiomë që nuk kërkon diskutim, është që të mos e kritikosh kurrë Sali Berishën. Të vetmit që lulëzojnë, që lartësohen në karrierë e që u ndrit ylli i fatit politik, janë ata që e shohin problemin me disfatën më të madhe të postkomunizmit që pësuan më 25 prill, vetëm tek kundërshtari e aspak brenda vetes. Gjithmonë vetëm tek PS. Tek qeveria. Tek mazhoranca. E sidomos tek Edi Rama. Kushdo që nuk zbaton qoftë edhe vetëm njërën nga këto ligje të pashkruara, duhet të largohet. Duhet të lëshojë funksionin. Duhet të dorëzojë mandatin e deputetit. Sepse Lulzim Basha është i paprekshëm, për aq kohë sa nuk është zgjedhur, por vetëm është emëruar. Sepse Lulzim Basha gëzon imunitet të plotë, për aq kohë sa nuk ka fituar asnjë betejë politike, por ka shkuar me sukses nga humbja në humbje.

Kush nuk e ka kuptuar se Lulzim Basha nuk është aty për të rikthyer opozitën në pushtet, por vetëm për të mbrojtur Sali Berishën dhe familjen e tij, nuk ka kuptuar asgjë as nga politika, as nga mënyra e funksionimit dhe as nga misioni i vetëm që ka PD sot. Kjo është arsyeja se përse hyrja e Sali Berishës, u prit me ovacione të papërmbajtura në sallën e Pallatit të Kongreseve, përmes të cilave iu përcoll një mesazh i qartë SHBA: E megjithatë…, Berishën se japim! Pas kësaj Mark Marku, Arben Ristani, Bujar Nishani, Edith Harxhi dhe gjithë kritikët e tjerë të Lulzim Bashës që janë goditur përpara tyre e do gotien më pas, duhet të kuptojnë se mund tia dalin që ta shpëtojnë PD jo përmes rrugës që po ndjekin. Sepse herët ose vonë, ajo po ua ha kokën të gjithëve. Për të fituar betejën për demokratizimin e PD dhe rikthimin e saj në pushtet, ata nuk duhet të vazhdojnë që ti bien më kot “samarit”, por “gomarit”. Nuk duhet ti bien Lulzim Bashës, por Sali Berishës. Nuk duhet të meren me njeriun që thjeshtë u ka sjellë pasojën, por me shkakun real.

Pas shpalljes edhe “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rruga drejt rithemelimit të PD, fillon nga distancimi i qartë dhe përfundimtar nga Sali Berisha. Më pas nga analiza e thellë dhe shteruese e të gjitha shkaqeve që e çuan PD në disfatën e thellë historike të këtij viti. Nga kërkimi i faljes për fajet e djegies së mandateve të deputetëve të opozitës dhe bojkotit të zgjedhjeve lokale të 2019. Për ta përfunduar me një proces të thellë katarsisi të brendshëm, riogranizimi rrënjësor e kapilar dhe realizimit të një procesi real, demokratik e transparent për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD. Kjo rrugë për ta rikthyer PD drejt pushtetit ndodhet brenda oborrit të SHQUP, por opozitarët tanë e kanë humbur atë ndaj edhe vijnë vërdallë si kali në lëmë, duke bërë sikur nuk po e shohin. Çdo rrotullim rreth vetes që vijojnë të bëjnë pa u ndalur, nuk bën gjë tjetër, veçse u mer mendjen duke rrezikuar që të rrëzohen për të mos u ringritur më kurrë!