Shifrat në rritje të rasteve dhe shifrat pjesërisht të ngecura të vaksinimit kanë nxitur shqetësimet në Gjermani për një valë të katërt të COVID-19 në vjeshtë. Sipas Institutit Robert Koch (RKI) për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, niveli i incidencës 7-ditore u rrit për të 10-n ditë radhazi, duke arritur në 9,4 raste të reja për 100 000 banorë të shtunën në mëngjes, nga 8,6 një ditë më parë dhe 4,9, niveli më i ulët i fundit, më 6 korrik. Shkencëtarët në Universitetin Teknik të Berlinit (TU) janë shprehur se presin një valë të katërt në vjeshtë, duke u bazuar në trendin aktual, që nuk do të anashkalojë as spitalet. “Numri i infeksioneve po rritet sërish dhe do të vazhdojë të rritet në një të ardhme të parashikueshme”, shkroi ministri federal i Shëndetësisë, Jens Spahn, në Twitter. “Ne jemi në një garë kundër variantit Delta, kur bëhet fjalë për vaksinimin. Çdo vaksinim rrit mbrojtjen e të gjithë neve për vjeshtë dhe dimër”,shtoi ai.

Sipas RKI, 601 220 doza vaksina u administruan në Gjermani të premten. Kjo do të thotë se rreth 38,2 milionë njerëz, ose 45,9 % e popullsisë, tashmë janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19. Zyrat shëndetësore raportuan 1 608 infeksione të reja në RKI brenda një dite, ndërkohë që një javë më parë ishin 952. Që nga fillimi i pandemisë, RKI ka numëruar 3 743 389 raste COVID-19 të konfirmuara.

Numri i përgjithshëm aktual ka të ngjarë të jetë dukshëm më i lartë, pasi shumë raste infektimi nuk njihen.