Edhe pse përgjigja nga laboratori në Berlin nuk ka mbërritur ende, ekspertët në Shqipëri kanë dyshime të arsyeshme që varianti indian Delta i koronavirusit, po qarkullon në vendin tonë.

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino tha nga Ndroqi se ka një rritje të pozitivitetit tek grupmoshat e reja që nisin nga 15 vjeçarët.

“Ata që janë shtruar janë të gjithë të pavaksinuar, por shohim një rritje të grupmoshave të reja, pra grupmoshat që predominojnë janë nga 15-24, nga 25-34 dhe 35-44 dhe mbi 70-vjeç kemi pasur raste”, tha Bino.

Bino i bëri thirrje edhe njëherë kësaj kategori që të vaksinohet për të shmangur rrezikun: “Është e rëndësishme që grupmoshat e reja të vaksinohem por dhe qendrat shëndetësore të mos lenë asnjë të moshuar pa vaksinuar, edhe në shtëpi, edhe në komunitet”.

Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë, e cila ndoqi nga afër vaksinimin me njësitë e lëvizshme në Ndroq, tha se ka dyshime që varianti Delta është duke qarkulluar në Shqipëri, por janë ende në pritje të rezultateve të laboratorëve të referencës.

“Javët e hapura do të vijojnë. Rritja e numrit të vaksinave,= na krijon mundësinë që vaksinimi të vazhdojë. Ditët e fundit është rritur mbulimi me vaksinat për të gjitha moshat. Kemi një rritje të lehtë të rasteve pozitive. Kemi dyshime se në Shqipëri qarkullon varianti Delta, por jemi në pritje të rezultateve të laboratorëve të referencës për ta vërtetuar këtë dyshim tonin. Nisur nga ajo që po ndodh përreth shihet se ka një rritje të qarkullimit të këtij varianti”, tha Manastirliu.

Ministrja shtoi më tej se, ditën e hënë do të mbërrijnë edhe 44 mijë vaksina Pfizer në vijim të kontratave me vaksinën Pfizer.