“Ishte e lehtë kundër Ukrainës. Shumë e lehtë”. Kështu e ka nisur fjalën e tij Jose Mourinho, teksa u pyet nga gazetarët italianë në lidhje me fitoren e Anglisë në çerek-finale ndaj Ukrainës. Ai ka thënë më tej, se fitorja u arrit lehtë, me një rezultat të pastër 4 me 0, që mund të shkonte edhe 5 në momente të caktuara të lojës.Tekniku, që është zyrtarizuar së fundmi si trajner i Romës, tha se në gjysmë-finale Anglia do e ketë të vështirë ndaj  Danimarkës, që sipas tij, është shumë më e fortë se Ukraina. Megjithatë, luzitani, shikon si favorite në këtë sfidë, e për të prekur finalet, Anglinë.

Ai thotë se Anglia luan mirë dhe është e sigurt. Sipas teknikut, Danimarka është solide dhe ka gjetur një mënyrë të re loje pa Christian Eriksen në fushë. “Ishte e lehtë kundër Ukrainës shumë e lehtë. Trajneri Gareth Southgate, mund edhe të linte pushim disa nga lojtarët e tij më të mirë, por nuk e bëri, nuk rrezikoi aspak. Unë mendoj se ndryshe nga Ukraina, Danimarka është një ekip solid dhe i fortë. Anglia s’do e ketë aspak të lehtë. Ata kanë gjetur një mënyrë të bukur loje pa Eriksen në fushë, e të mos e harrojmë, kanë lojtarë që luajnë në ligat më të forta të Europës. Anglia është mirë, luan mirë dhe është e sigurt, por gjithçka mund të ndodhë në gjysmë-finale, përballë një Danimarke shumë të motivuar”, tha Mourinho.