Argjentina është shpallur kampione e Kupës së Amerikës për herë të 15 në histori. ‘Albicelestët’ në finale mposhtën me rezultatin minimal 1-0 Brazilin që ishte edhe vendi organizator i këtij kompeticioni.
Sfida që u luajt në stadiumin Maracana të Rio De Janiero-s dhe që ishte e vetmja e cila u luajt me tifozë këtë edicion, u vulos në minutën e 21 nga Angel Di Maria. Futbollisti që luan me Paris SG përfitoi nga një ndërhyrje e dobët e Lodit, duke kthyer në gol shansin e artë që iu paraqit para portierit Ederson.
Për pjesën e mbetur të lojës Brazili tentoi t’i ndryshonte udhë finales, por fakt është se diçka e tillë nuk ndodhi. Në fund rezulton se ky trofe është i 15 në historinë e Argjentinës, po aq sa Uruguaji që mban rekordin, ndërsa Brazili ishte kampionia në fuqi.
Në përfundim të 90 minutave kishte lot te ‘seleçao’, ndërsa festë e papërmbajtur te Argjentina, sidomos Lionel Messi, që fitoi trofeun e parë me kombëtaren. Për këtë triumf numri 10 është shprehur se ‘ndjen një lumturi të pashpjegueshme’, ndërsa ka shtuar se ‘është hera e parë që do shkoj me pushime i gëzuar pas grumbullimit me kombëtaren’.
Ndërkohë trajneri i Brazilit Tite fajin për humbjen e ka gjetur te terrenet e rënduara të stadiumeve dhe kohën e pakët në dispocizion që kombëtaret kishin për t’u përgatitur.