Një gabim për të mësuar dhe përmirësuar. Penalltia e humbur nga Kylian Mbappé në 1/8 finale të “Euro 2020”, kur Franca e tij eliminohej nga Zvicra, mund të jetë hapi i parë i rritjes së Mbappe, që do ta çojë atë drejt më të mirit. Në këtë kuptim duhet të lexohen fjalët e ish-mbrojtësit të Milanit, Adil Rami, thënë për RMC Sport, teksa komentonte eliminimin e “gjelave” nga Kampionati Europian:

“Diku kam lexuar që nuk është aq keq për Mbappé që e ka humbur atë penallti. Ai duhet të kalojë nëpër këto situata, të bjerë, të dështojë, të kritikohet, të piqet dhe të kuptojë se çfarë është futbolli. Për disa arsye jam i lumtur të shoh se si vuan, sepse e di që falë kësaj do të jetë në gjendje të mësojë, të fitojë “Topin e Artë”. Karakteri i tij? Nuk më habit, sepse edhe unë e përjetova atë në vitin 2018. Ai dëshiron të jetë më i miri dhe të bëjë si idhulli i tij (Cristiano Ronaldo). Megjithatë, nuk duhet ta harrojmë se është ende 22 vjeç dhe mund të përmirësohet. Zgjedhjet e tij nuk janë perfekte, por do të rritet”.