Harrojeni këtë atmosferë. Kampionati Europian kryesisht në Angli është një gjë, dhe Lojrat Olimpike në Japoni, diçka krejt tjetër. Nëse Londra përjeton një kthim në normalitet që ka krijuar lumturi dhe eufori të pamasë, kryeqyteti japonez, Tokio, e pret me tension dhe frikë ngjarjen më të madhe sportive në 4 vjet. Autoritetet japoneze shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në Tokio pas një vale tjetër të koronavirusit, me masat që do të hyjnë në fuqi të hënën, dhe do të vazhdojnë deri në 22 gusht, dy javë pas përfundimit të Olimpiadës.
Japonia është në pozitë të vështirë, pasi vetëm 7 për qind e qytetarëve janë vaksinuar, në krahasim me rreth 25 për qind në vendet e tjera të zhvilluara. Shefi ekzekutiv i Lojrave, japonezi Toshiro Muto, kishte parashikuar që të kishte të paktën 50 për qind tifozë nëpër impiante, me limit deri në 10 000 spektatorë, por tashmë gjërat kanë ndryshuar. Autoritetet vendase kanë deklaruar se edhe ky numër i kufizuar publiku nuk duhet të jetë në gara pas orës 21:00, duke e bërë më pak të mundshme praninë e tifozëve.
Kryekëshilltari japonez për koronavirusin, Doktor Shigeru Omi, këshillon se është më mirë që Lojrat të zhvillohen me dyer të mbyllura. Qeveria qendrore dhe pushteti vendor është në pozitë të vështirë sepse opinioni publik japonez është kundër mbajtjes së Olimpiadës, jo vetëm kundër pranisë së tifozëve. Një grua u arrestua së fundmi sepse sulmoi ceremoninë e përcjelljes së flakës olimpike në vend.
Mungesa e tifozëve pritet të rrisë kostot për organizatorët, sepse nuk mund të merren të ardhura nga biletat, ndërsa shpenzimet janë tepër të larta. Mjaft të kujtojmë se në Lojrat e kaluara Olimpike në Rio de Zhaneiro në 2016, fatura arriti në 20 miliardë USD, nëntë herë më shumë sesa vlerësimi paraprak.