Kryetari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, Bujar Nishani, është një nga emrat që pritet të jetë pjesë e ndryshimeve në strukturat drejtuese të PD-së. Pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, deri në fund të korrikut në selinë blu pritet të ndodhin ndryshime të tjera në strukturat drejtuese, në sekretariate, kryesi dhe sigurisht edhe drejtuesi i Këshillit Kombëtar. Duket se Bujar Nishani e pret se do të shkojë pas kolegëve të tij të “Grupimit për PD”. Ata u lanë jashtë listës së re të anëtarëve të këshillit, ndërsa ish-Presidenti Nishani nuk do të jetë më në krye të Këshillit Kombëtar. Në një intervistë Nishani u shpreh se për të nuk kanë rëndësi postet që ai i cilësoi ofiqe.

Por Nishani vlerëson kauzën. Dhe duke e vlerësuar PD-në në kuotat më të ulëta historike dhe më të përçarë se kurrë në historinë e saj, Nishani rekomandon të ndërmerren hapa emergjente për të bërë të mundur që PD të jetë forcë politike alternativë për të qeverisur. Në një reagim dy ditë pas mbledhjes, kryetari i Këshillit Kombëtar thotë se Kuvendi Kombëtar u mblodh jo për të adresuar hallin politik të Partisë Demokratike dhe të opozitës, por u thirr për të mbuluar hallin politik të Lulzim Bashës. Sipas tij, PD vinte në këtë Kuvend pa asnjë kolonë identiteti si parti konservatore, pa ideologji, pa ekip përfaqësues dhe me humbje të madhe besimi.

Ndërkohë, në intervistë Nishani rekomandon që PD t’i nënshtrohet një reformimi të gjerë. Të rikonceptojë gjithashtu edhe kolonat ideologjike, me të cilat u qaset qytetarëve. Sa u përket proceseve që kanë ndodhur deri më tani në PD, Nishani i vlerëson si farsë.

Intervistoi Mariglen Kume

Z. Nishani, pas zgjedhjeve të 25 prillit, ju keni kritikuar Bashën si përgjegjësin kryesor për humbjen. Ndërkohë, në zgjedhjet brenda partisë mbështetët znj. Edit Harxhi si kandidaturë. Kjo e fundit, ndonëse mori mbi 800 vota në zgjedhje në Kuvendin Kombëtar të PD-së, sipas rezultatit final nuk është zgjedhur anëtare e Këshillit të PD-së. A mendoni se znj. Harxhi dhe i gjithë grupi “Për PD” nuk ka marrë vota nga delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së, apo keni informacione dhe fakte se lista është hartuar në mënyrë selektive nga lidershipi?

Natyrisht që përgjegjësi kryesor i një dështimi të përsëritur prej 8 vitesh dhe humbjes në 4 përballje elektorale është kryetari i partisë, i cili ka marrë përsipër dha ka dalë garanti kryesor për suksesin politik të partisë. Ky është një rregull, të cilin nuk po e sajoj unë, por është standardi më normal në çdo shoqëri demokratike. Këtë e thotë shumica dërrmuese e demokratëve dhe shqiptarëve në tërësi, pavarësisht nëse e thonë atë publikisht apo veç në rrethin e tyre.

Kandidatura e znj. Harxhi ishte një risi në politikën shqiptare, në kontekstin që ishte një zonjë që konkurronte për lidership në një nga partitë më të mëdha të vendit, ndërsa në kontekstin politik një prej studenteve të Dhjetorit ‘90 dhe një intelektuale me dinamikë të suksesshme shtetërore. Por znj. Harxhi u pengua, u luftua dhe trajtua nga selia e partisë dhe enturazhi i L. Bashës nëpër rrethe si “armike” e Partisë dhe jo si një alternativë konkurruese. Nuk mund të konsiderohet kurrë “garë” kur të mohohet çdo element i aksesit, komunikimit dhe monitorimit ndaj të gjitha elementeve të një gare. Merrni si shembull një qark për të kuptuar ç’ka ndodhur me zgjedhjen e kryetarit të partisë. Qarkun e Korçës.

Në qytetin e Korçës ku u bë e mundur të monitorohej proçesi, L. Basha mori vetëm 17% të votave të anëtarësisë. Në të njëjtin qark, por në Maliq, ku nuk u mundësua monitorimi i procesit, L. Basha mori 70% të votave. Po në të njëjtin qark, por në Devoll, lista e votuesve të partisë rreth 3 muaj më parë ishte me 2100 votues, ndërsa ditën e votimit për kryetarin u katandis në 900 votues. Besoj se nuk do shumë komente për këtë maskaradë! Por më denoncuesja e asaj maskarade ishte fakti që sot për herë të parë në historinë e saj, Partia Demokratike drejtohet nga një kryetar, i cili gëzon mbështetjen e pakicës së partisë (më pak se 30% e anëtarësisë e votuan L. Bashën).

Se si është zhvilluar procesi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, unë nuk mund të them se nuk kam pasur mundësi ta monitoroj, por po t’i referohesh standardit të zgjedhjes së kryetarit të partisë dhe procesit të gjykimit mbi propozimet e përfaqësuesve të tjerë për ndryshime statutore dhe reformës në parti, merret lehtë me mend se çfarë mund të ketë ndodhur aty.

Ju jeni automatikisht anëtar i Këshillit Kombëtar si ishPresident. Por a i druheni ju faktit se z. Basha do t’ju zëvendësojë në drejtimin e KK?

Unë nuk e kam projektuar kurrë angazhimin tim politik me ofiqe apo poste partiake. Më e rëndësishme është përgjegjshmëria qytetare sesa posti. Më rëndësi ka integriteti sesa formaliteti. Për mua është e mjaftueshme të jesh qytetar, të besosh në parimet që mbron, të jesh anëtar i PD (në këtë rast) që të mundesh të luftosh mandej për kauzën. Unë besoj se më shumë vlerë ka kauza se posti. Posti vjen e shkon, kauza mbetet! Sot, kauza e PD është në udhëkryq historik. Unë nuk e mendoj veten si “shpëtimtari”, por jam kthjelltësisht i vendosur për të bërë betejën time, pavarësisht sa kohë apo kosto do të kërkojë.

Në reagimin tuaj ju keni evidentuar shumë çështje që nuk duhet të kishte bërë Lulzim Basha si kryetar i PD-së. Krahas këtyre, mund të na thoni disa hapa që duhet të ndërmarrë PD, që të forcohet dhe të përballet me kundërshtarin politik?

PD është në udhëkryq të historisë politike sot. PD nuk ka qenë kurrë më e dobët politikisht sesa sot, nuk ka qenë kurrë më e përçarë sesa sot, nuk ka pasur kurrë këtë nivel të ulët besueshmërie në opinionin publik sesa ka sot. PD po vetizolohet ndaj shoqërisë. PD ka nevojë për një reflektim të thellë dhe një reformë të gjerë. PD i duhet të sendërtojë kolonat e ideologjisë së saj si parti e qendrës së djathtë duke pasur në konsideratë rrethanat historike, sociale e kulturore të shoqërisë sonë. PD i duhet një statut organizimi dhe funksionimi ku të bëhet e mundur gara reale me qëllim ofrimin e kapaciteteve qytetare me influenca tek elektorati. PD i duhen teza të drejtpërdrejta që ndeshen fort me sfidat që kanë shqiptarët sot. Korrupsionin, pasuritë e paligjshme, krimi në politikë, varfëria, shëndetësia, standardi jetesës. PD i duhet ekip që reflekton aftësi, integritet, besueshmëri, qytetari. Këto janë emergjente, përndryshe nuk ka alternativë.

A ndani edhe ju të njëjtin mendim me z. Mark Marku, i cili në Kuvendin Kombëtar kërkoi rithemelim të PD-së? Dhe a bini dakord me të njëjtat propozime të tijat edhe për mënyrën e rithemelimit dhe qasjen që duhet të ketë PD?

Unë vlerësoj dhe mbështes çdo zë, çdo angazhim e çdo kontribut që i shërben ringritjes së PD-së, rritjes së saj, modernizimit dhe fitimit të kredibilitetit te shumica e shoqërisë. PD është themeluar si një lëvizje mbarë popullore, si përfshirje e një spektri të gjerë të qytetarëve, si bashkim i grupeve të ndryshme interesi, por që kishin në themel lirinë, antikomunizmin, antikorrupsionin e sistemit, të drejtën, integritetin, patriotizmin dhe mirëqenien e shoqërisë. Kolonat e PD-së duhen ringritur dhe forcuar. PD duhet të rikthehet te qytetaria. Mua më vjen shumë mirë të dëgjoj zëra intelektualë, antikomformistë dhe jashtë interesave partiake si prof. Plasari, Fuga etj., që flasin për të njëjtat teza.

Kuvendi Kombëtar i PD-së miratoi të shtunën edhe ndryshimet statutore. A rritet demokracia në parti me ndryshimet që propozoi Basha? Duke qenë se kandidatët për kryetar bashkie do zgjidhen njësoj si kandidatët për deputetë ku keni marrë pjesë edhe ju?

Nuk pati asnjë ndryshim thelbësor dhe në interes të këtyre parimeve që përmenda pak më lart…

Pati 2-3 ndërhyrje në statut që heqin edhe disa hapësira formale për anëtarësinë dhe Këshillin Kombëtar e kthejnë nga institucioni më i lartë vendimmarrës në organ këshillues. Dobësohet roli i anëtarësisë, duke forcuar unin e kryetarit. Është krejtësisht në dëm të kredibilitetit të partisë dhe besueshmërisë së saj kur zhbën çdo normë kolegjialiteti dhe fryn pushtetin e një njeriu. Deputetët nuk u përzgjodhën fare nga komisioni që u ngrit. Puna e atij komisioni u shumëzua me zero dhe lista e deputetëve u bë njësoj si në 2017. Tashmë anëtarësisë i hiqet edhe e drejta formale për të propozuar kandidatët për kryetarë bashkie. Kryetari i partisë i jep të drejtën vetes të hartojë listën e kandidatëve. Nuk është se ka ndodhur ndryshe më parë, por kishte një parashikim formal statutor që përfshinte anëtarësinë. Sot më shumë se kurrë PD i duhet sistemi i garës. Primaret bëjnë të mundur garën. Gara bën të mundur hapjen dhe rritjen e partisë. Të tjerat janë retorikë boshe.

Z. Nishani, në deklaratën e “Grupit për PD” thuhet se do të vazhdojë angazhimi. Por në kushtet që shumë prej jush janë lënë jashtë PD-së, pra, vetëm ju jeni në strukturat e larta, si do vazhdojë grupimi juaj. Si do influencoheni ju te Basha për të arritur demokratizimin e partisë?

“Grupi për PD” është një bashkim zërash që adreson situatën alarmante në PD. Ky grup nuk është një strukturë, por bashkim i reagimit dhe përgjegjshmërisë, i cili besoj do të rritet nga dita në ditë. E them edhe një herë se nuk ka kurrfarë rëndësie qenia në salla apo karrige formale për të bërë politike, për të mbrojtur parimet, për të adresuar sfida, për të bërë beteja. Të gjitha ato jetësohen në komunikimin publik, në kontaktin politik. Këto nuk varen asfare te të pasurit emrin në lista të caktuara. Ato varen te dëshira, integriteti, te të qenit i vërtetë. Beteja më e madhe sot është beteja me të vërtetën. Kushdo që bëhet aleat me të vërtetën, është i fituar.

A është më Partia Demokratike me lidershipin e saj një forcë alternativë qeverisëse?

Ky është e ky duhet të jetë misioni i PD-së, misioni i opozitës. Gjithçka na shqetëson, gjithçka kërkojmë të ndryshojë është në shërbim të asaj. Të qenit alternativë qeverisëse. Problemi më i madh sot në Shqipëri është keqqeverisja. Degradim i pushtetit. Shkatërrimi i shtetit dhe interesave më bazike të shoqërisë. Por që kjo të ndryshojë, duhet pasur mekanizma politikë eficientë dhe funksionalë. PD është më kryesori për sa flasim e veprojmë brenda një sistemi politik. Ndaj duhet nisur nga rregullimi i këtij mekanizmi, i cili sot nuk është i duhuri. PD, duke qenë në atë udhëkryq që përmenda pak më lart, pikërisht këtë rrezikon si fatalitetin e saj. Humbjen e të qenit alternativë qeverisëse. Nëse mbërrin deri aty, atëherë nuk kemi më përgjegjësi politike, por shumë më tepër se kaq.