Shqipëria përgatitet për programin IPARD III që adreson masa të reja mbështetëse për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë për vitet në vijim.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po përgatit strukturat përkatëse për zbatimin e programit IPARD III dhe fishat e masave të reja, që të jetë po aq i suksesshëm, sa IPARD II, duke patur në fokus fermerët e rinj dhe gratë që të mos braktisin zonat rurale.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca bën të ditur se, zhvilloi një takim me grupin e punës që po kryen studimet sektoriale për ndërtimin e Programit IPARD III.

“Në punë e sipër, si një ekip, me Autoritetin Manaxhues, për të çuar përpara proceset komplekse të ndërtimit të IPARD III”- shprehet Krifca.
“Sot, tha ajo, jemi në një analizë të detajuar kapacitetesh me udhëheqësin e skuadrës që kryen vlerësimin paraprak të programit të ri, detyrim i marrëveshjes sektoriale”.
“Së bashku me Autoritetin Manaxhues dhe MBZHR, po avancojmë këtë proces për të përfshirë në program nevojat për financim e mbështetje të zinxhirit bujqësor që sjell zhvillimin e synuar të sektorit”, tha Krifca.

Fondi IPARD, si pjesë e instrumentit IPA, i është dedikuar vendeve kandidate për anëtarësim të barabartë në Bashkimin Europian, si dhe përgatitjes së tyre për shfrytëzimin e programeve para anëtarësimit për zhvillim bujqësor dhe rural.

Shqipëria ka marrë të drejtën e aksesimit të granteve IPARD, program i iniciuar në dhjetor të vitit 2018 me një vlerë financimi 94 milionë euro (përfshirë edhe kontributin e Qeverisë Shqiptare) dhe synon në programin IPARD III, një fond prej 166 milionë euro, duke akredituar edhe 5 masa të reja për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Në fokus të mbështetjes me grante për bujqësinë do të vijojnë të jenë sektorët e prodhimit bujqësor, përpunimit, qendrat e grumbullimit, agroturizmi, mekanika bujqësore e deri tek mbështetja për pyjet.

Intensiteti i granteve për sektorin e agrobiznesit shkon nga 50 – 70% të projektit të kontraktuar nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Kjo mbështetje financiare me grant për çdo thirrje publike është e përbërë nga 75% financim i siguruar nga instrumenti për ndihmë të para-antarësimit të zhvillimit rural në Bashkimin Evropian dhe 25% financim të siguruar nga buxheti i qeverisë, si pjesë e marrëveshjes së MSA-së.