Partia Demokratike të shtunën zhvillon punimet e Kuvendit Kombëtar, ku pritet të zgjidhen anëtarët e këshillit dhe të votohen ndryshimet në statutin e partisë. Demokratët do të zgjedhin me votë edhe 300 anëtarët e Këshillit Kombëtar, nga 600 propozimet e bëra nga kryetari Luzim Basha. Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar Edvin Kulluri tha për Euronews Albania se diskutimet për statutin e kanë humbur kuptimin e tyre. Propozimet e bëra nga lidershipi i PD-së z. Kulluri i cilësoi si ndërhyrje kozmetike që nuk prekin problemet reale që ka partia. “Nuk është hera e parë që ka një diskutim për statutin. Duke parë se çfarë ka ndodhur në vitin 2017, që u shkel statuti, një diskutim për ndryshimet statutore tashmë e ka humbur kuptimin. Janë ndërhyrje kozmetike”, tha ai.

Ai foli ashpër kur tha se në Partinë Demokratike po ngrihet “kulti i individit” në mënyrë të padrejtë. “Në PD më shumë po ngrihet kulti i individit. Z. Basha nuk dëgjon, nuk flet asgjë, vetëm bën propagandë dhe nuk shtron për diskutim asnjë çështje të rëndësishme”, tha Kulluri.

Kulluri pohoi se zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë kanë shtuar dozën e frikës në radhët e lidershipit të PD-së dhe tek vetë kryetari Lulzim Basha. “Ajo që unë dua të them është se besoj se zhvillimet e fundit në reformën në drejtësi duket të kenë krijuar me sa duket panik jo të vogël në radhët e lidershipit të PD dhe tek z. Basha, sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër ky largim i gjithë kritikës dhe kjo vendimmarrje krejtësisht personale.

Është e qartë se ka ardhur fundi i një elite politike të tranzicionit. Unë kam qenë bashkëpunëtor me z. Basha dhe nuk e prisja që ta çonte partinë në këtë degradim, për të cilin ne ndihemi të gjithë keq si trupë”, shtoi ai.