Me këtë titull, gazeta e njohur sportive italiane Corriere dello Sport”, shkruan mbi atë që ngjau në gjysmëfinalen e “Euro 2020”, në rastin e penalltisë së Sterling, të kthyer në gol nga Harry Kane, por tejet e kontestuar nga danezët dhe mbarë opinion futbollistik kontinental. Media në fjalë e shtjellon rastin kështu:
“Një penallti në kohën shtesë, shumë më tepër se e dyshimtë, praktikisht inekzistente (veprim i bërë nul nga prania e dy topave në fushë), hap dyert e finales për Anglinë. Finalja e parë që nga viti 1966, kur fitoi kampionatin botëror, përsëri në ‘Wembley’. Shumë do të diskutohet vendimi i gjyqtarit Makkelie, si dhe ai në VAR, Van Boekel, për të mos ndërhyrë dhe për ta rishikuar kontaktin e mundshëm midis Sterling dhe Maehle. Por, ashpërsia mënjanë, Anglia u përball me një Danimarkë të aftë për të marrë drejtimin dhe për të dhënë gjithçka (dhe më shumë).
Danezëve thjesht u mbaroi benzina, duke paguar detyrën për udhëtimin e gjatë në Baku dhe dhjetëra ulje-ngritjet e këtij turneu. Britanikët e shfrytëzuan atë, duke krijuar mundësitë më të mira në kohën e rregullt të finales (…) Në kohën shtesë, rrethimi anglez në portën e Schmeichel u ngushtua, por duhej “gjarpri” Sterling dhe bilbili i Makkelie për pikën e kthesës. Nëse ka një kontakt të lehtë me Maehle, Sterling rrëzohet në tokë. VAR nuk korrigjon. Schmeichel pret fillimisht, por nuk i përmbahet dot Kane në goditjen e dytë”.