“La gioia della fatica”- kënaqësia e vuajtjes- kjo është një shprehje që e kishte si motiv ish trajneri i përfaqësueses shqiptare Gianni de Biasi dhe që të paktën për një natë mund t’ia huazojë homologu i tij, Roberto Mancini. Italia është në finalen e madhe të kampionatit Europian për herë të 3-të në 6 edicionet e fundit të këtij kompeticioni, ka mbrritur deri këtu duke argëtuar me lojën, me një stil modern që ka bërë të dashurohen me të kaltrit edhe me skeptikët, e megjithatë për të eliminuar Spanjën u desh që “Azzurrët” të riktheheshin në rrënjët e tyre, të vuanin, të luftonin me shpirt ndër dhëmbë kundër një skuadre që qarkullimin e topit e ka në gjak dhe në fund të triumfonin nëpërmjet “ruletës ruse” të penalltive dhe duke nxjerr për të dytën herë rradhazi ” La Furia Rojan” nga Europiani.
Dikush me të drejtë mund të thotë që vuajti shumë, por ky mund të jetë edhe një aspekt pozitiv, sepse të dish të vuash nuk është problem, përkundrazi mund të jetë një armë më tepër që nxjerr në pah karakterin e një ekipi. Nuk duhet harruar nga ky nisi ky rrugëtim që ende nuk ka përfunduar, nisi nga mbrëmja e 13 nëntorit të 2017-ës kur në “San Siro” barazimi 0-0 me Suedinë i mbante 4 herë kampionët e botës jashtë botërorit të Rusisë.
Ringritja si e “Phoenix”-lindi nga hiri i asaj mbrëmjeje, në stol erdhi Mancini dhe kjo Itali me shumë karakter nuk humbet nga shtatori i 2018-ës dhe është tashmë në garë për të qënë skuadra kampione e Europës. Është një finale dhe patjetër që ekziston mundësia për ta humbur atë, por Mancini ka ndërtuar një koncept futbolli i cili të garanton të ardhmen dhe në shumë pak kohë, madje aq shpejt sa as vetë tekniku nuk e priste, por merr frytet….gjithsesi kjo nuk do të thotë që Italia nuk e do me shpirt që tani triumfin e madh, një Europian që “të kaltrit ” e kanë fituar vetëm një herë në vitin 1968 dhe mbase ka ardhur momenti për ta pushtuar sërish kontinentin e vjetër…