Kishte zëra, ekzistonte marrëveshja në parim, por tani është edhe zyrtare: Jadon Sancho bëhet lojtari më i ri i Manchester United, me të cilin klubi nga “Old Trafford” ka nënshkruar kontratë afatgjatë, deri në vitin 2026. Mbi 80 milionë euro të paguara në arkat e Borussia Dortmund, e cila e mori talentin anglez nga Manchester City i Pep Guardiolës në vitin 2017, kur ende nuk kishte bërë debutimin e tij në Premier League.
Në katër vite te verdhezinjtë e Bundesligës, lojtari i datëlindjes 2000 është bërë një nga sulmuesit anësor më të fortë në botë. Gjithashtu, u bë lojtari më i ri që ka arritur 50 asiste në Bundesliga. Me fitoren e “DFB-Pokal” kundër Leipzig, në ndeshjen e fundit të luajtur me verdhezinjtë, Sancho gjeti mënyrën më të mirë për ta falënderuar Borussia, para se të largohej, për t’u kthyer në Anglinë e tij. Pas një “Euro 2020” të vështirë, të mbyllur me gabime në finale, anësori anglez do t’ia rifillojë nga Manchester United.