Miliarderi Jef Bezos u nis drejt hapësirës së bashku me tre të tjerë me raketën New Shepard të kompanisë së tij “Blue Origin”. Miliarderi shoqërohej nga Mark Bezos, vëllai i tij, Wally Funk, një aviatore pioniere e kohës së saj dhe një student 18-vjeçar, Oliver Daemen . Ata udhëtuan në një kapsulë me dritare të mëdha të cilat ofruan pamje mahnitëse të Tokës.
Gjatë udhëtimit të tyre gati 11 minuta, dëgjoheshin në transmetimin direkt përshtypjet e para për atë se çfarë po përjetonin.
Kjo është e pabesueshme, dëgjohet të thotë Bezos në një moment, duke shtuar në fund se kjo ishte dita më e mirë për të. Pas kësaj, kapsula e tyre zbriti me sukses në tokë, ku të afërmit i pritën me duartrokitje. Raketa New Shepard, e ndërtuar nga kompania e Bezos, “Blue Origin”, është krijuar për t’i shërbyer tregut në zhvillim e sipër për turizmin hapësinor. Në këtë fluturim u bënë bashkë personi më i vjetër që ka qenë në hapësirë, zonja Funk, dhe më i riu, studenti Oliver Daemen.