Nga Skënder Minxhozi/

Ka qenë një kohë në fundin e viteve ’90 dhe fillimin e mijëvjeçarit të ri, kur OSBE shihej në Shqipëri si një lloj drejtorie operacionale supreme për zgjidhjen e çdo lloj krize që dilte gjatë rrugës. Dhe Shqipëria e asaj kohe kishte padyshim një mal me kriza të të gjitha llojeve. Një rol të tillë, në përmasa jorealiste, idilike, e pse jo edhe naive (në fakt më shumë hileqare se naive), po i mvishet sot drejtësisë së re dhe institucioneve të saj. Po konsumojmë këto muaj fabulën e rrjeshme se çdo i korruptuar, çdo shkelës ligji, çdo paudhësi e të gjitha viteve, qysh nga dita 1 e demokracisë në këtë vend, do të korigjohet si me magji nga një dyzinë prokurorësh e gjyqtarësh që kanë nisur t’i heqin ngadalë petët lakrorit të krimit e korrupsionit shumëvjeçar në Shqipëri. “Çoja SPAK-ut”, “Ta hetojë SPAK-u”, “Ta fusë në burg SPAK-u” – ky refren është në modë në të gjitha katet e shtetit shqiptar dhe kjo pritshmëri ka prekur edhe fantazinë popullore të mijëra njerëzve që kujtojnë se me një të rënë të lapsit e gjetën derën që t’i zgjidh të gjitha hallet.

Kjo alibi po përdoret sot gjerësisht për të anashkaluar e mos zgjidhur shumë nga shkeljet ligjore që normalisht duhet të ishin shqyrtuar e dënuar edhe në rrugë të tjera nga dhjetra institucione garancish, kontrolli e filtrimi të procedurave dhe ligjeve. Rasti konkret, ai i denoncimit të kryeministrit Rama për gjetjen e parregullsive në 70% procedurave të tenderimit në institucionet shtetërore, shënon vetëm episodin e fundit të identifikimit të problemit, por jo të goditjes së tij. Rama thotë se plot 655, nga 936 procedurat e tenderimit janë gjetur me shkelje dhe se për to Agjencia e Prokurimit ka bërë rekomandime me shkrim. Në 20 përqind të rasteve, vijon kryeministri, institucionet përkatëse nuk kanë reaguar apo reflektuar ndaj rekomandimeve. Pra, vijojnë edhe sot të jenë në detyrë, megjithëse ju janë vënë në dukje me shkrim shkeljet. Të paktën kjo kuptohet nga fakti që vetë Rama nuk dha ndonjë informacion për shkarkime, pezullime apo penalitete të tjera ndaj shkelësve. Ai thjesht kërcënoi që në rast mosreflektimi personat do të dërgoheshin në SPAK.

Të njëjtën gjë bën edhe opozita me të zgjedhurit e vet, që i le rrugëve sapo në lojë hyn drejtësia për t’u vënë prangat. Shteti duhet të jetë në gjendje të pastrojë veten, sepse për këtë ka ngritur rregullore e manuale pafund. Skenari ku çdo shkelje duhet të përfundojë në tryezën e SPAK-ut është thjesht jorealist dhe madje absurd. Kryeministri duhet të kishte dalë para shqiptarëve me një listë emrash të cilët qeveria e tij duhet t’i kishte penalizuar sipas tagrit të vet ligjor, për mosreflektim ndaj shkeljeve në tendera. Nuk ka vetëm dënime me burg me dorën e SPAK, ka edhe penalitete të tjera paraprake, në pritje që prokurorët antikorrupsion të zbardhin shkeljet rast pas rasti.

E njëjta gjë vlente edhe për kryetarët e bashkive ndaj të cilëve kryeministri përdori sërish një gjuhë shumë të ashpër. Klima pozitive që goditjet e drejtësisë së re kanë nisur të krijojnë, po dëmtohen jo vetëm nga turma e pesimistëve që prej vitesh shpreh skepticizëm ndaj reformës, por edhe nga ana tjetër e medaljes, nga pritshmëria se tani, me ngritjen e institucioneve të reja, gjithçka negative do të marrë ndëshkimin e tyre. Si me magji, si me frymën e shenjtë. Jo çdo qese me plehra duhet hedhur në oborrin e SPAK! Sepse sado i madh të jetë ky oborr, është e pamundur nga pikëpamja logjistike e njerëzore, që një institucioni të ri t’i vendoset mbi shpinë një peshë që s’mund ta mbajë. Ndërtimi i alibisë “të merret SPAKU me këtë”, është një pretekst i kamufluar që heq artificialisht përgjegjësinë e çdo filtri tjetër shtetëror, në reagimin dhe goditjen e shkelësve të ligjit.

Shqipëria nuk do të pastrohet dot me duart e një institucioni të vetëm, sado i fuqishëm, i vullnetshëm dhe aktiv që të jetë ai në këtë detyrë faraonike. Korrupsioni duhet dënuar konkretisht çdo ditë aty ku ndodh më së pari. Të presësh që SPAK të zbardhë mijëra dosje paralelisht dhe të kthejë në rrugë të mbarë një shoqëri ku korrupsioni është kulturë dhe mënyrë jetese, do të thotë ta shtysh pastrimin e shoqërisë shqiptare në kalendat greke.