Nga Artur Ajazi
Kryeministri Rama ka paralajmëruar “furtunë” në sistemin policor. Gjithë Policia e Shtetit dhe strukturat e saj do ti nënshtrohen një reformimi rradikal, duke konturuar në kornizën e ligjit këtë institucion kaq delikat dhe të rëndësishëm në zbatimin e ligjit. Kryeministri Rama, madje ka vendosur një afat 100 ditor për të realizuar objektivin nga drejtuesit e rinj të drejtorive në qarqe.
Ka ardhur pikërisht momenti, që postat, komisariatet, dhe drejtoritë e policive në të gjitha qarqet e vendit, ti nënshtrohen një reforme të thellë, nga e cila duhet të zbulohen, largohen dhe penalizohen ata që deri sot kanë luajtur poker me ligjin. Ka ardhur momenti që “të fortët” e policisë në komisariate dhe drejtori, të largohen. Ata që ishin dhe janë të lidhur me elementin kriminal, me abuzuesin e ligjit, me ata që nuk respektojnë asgjë ligjore, me ata që ndërtojnë natën dhe mbushin xhepat e policëve me para, nga ata që kanë zaptuar hapësirat e përbashkëta dhe i kanë kthyer në gardhiqe parkingjesh nën hundën e policit. Ka ardhur momenti, që ata që kanë shfrytëzuar postin dhe uniformën në Policinë e Shtetit, të largohen por jo “pa lagur”.
Ata duhet të shkojnë në ndjekje penale. Ka ardhur momenti që Policia e Shtetit, komisariatet dhe drejtoritë e qarqeve, të marrin një fizionomi tjetër, të marrin një tjetër fytyrë dhe prezantim të ri, para qytetarit. Ka ardhur momenti që të babëziturit që kanë vite që vegjetojnë në Policinë e Shtetit dhe që kanë mundur të shpëtojnë nga ndëshkimi, të largohen dhe të shkojnë para ligjit. Ka ardhur momenti, që ata që natën tek dalin me makinat e shtetit për të kryer detyrën, dhe bëjnë maskarallëqe, apo dhe duke u puthur me elementë kriminalë në lokalet e tyre, të shkojnë para ligjit.
Shqipëria dhe shqiptarët, nuk mund të presin asnjë minutë më shumë. Koha kërkon “qilizëm” në strukturat e Policisë së Shtetit. Eshtë pikërisht momenti që nga rradhët e uniformave blu, të largohen matrapazët, të shiturit dhe të blerët e partive politike, ata që edhe në zgjedhjet e fundit të 25 Prillit, drekonin me paramilitarët e Partisë Demokratike, duke u justifikuar se “i kemi patur kolegë”. Një skandal i padëgjuar ky. Ka ardhur momenti, të largohen nga Policia e Shtetit, nga komisariatet dhe drejtoritë e qarqeve, policët me diploma fallco, policët sekserë të shefave dhe deri të pedagogëve në universitete.
Ka ardhur koha që të largohen me turp, policët që kanë dekonspiruar aksionet e kolegëve, duke rrezikuar shpesh edhe jetët e tyre. Ka ardhur momenti që të largohen me ceremoni nga Policia e Shtetit, ata që kanë bashkëpunuar dhe akoma kanë lidhje të paprera me kontrabandistët dhe trafikantët e drogës, nga ku marrin rroga të majme prej tyre. Ka ardhur momenti që ky vend, të prezantohet në pikat kufitare , doganore dhe aeroporte, me policë të shkolluar dhe të ndershëm, dhe jo me pocaqi të kompromentuar, korruptuar, dhe inkriminuar.
Edi Rama e kishte paralajmëruar, dhe po e bën realitet, një premtim të dhënë. Policia e Shtetit, është fytyra e shtetit, ndaj nuk mund të vazhdohet më tej. Reformimi i strukturave policore, është pjesë e objektivave të mandatit të tretë qeverisës, i cili starton në Shtator. Synimi është i qartë, goditja dhe vënia para drejtësisë i çdo polici apo drejtuesi që ka njollosur dhe abuzuar me uniformën dhe ligjin.