Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, në ditët e para të muajit korrik ka nisur të gjallërohet nga turistët vendas e të huaj. I njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, Berati zgjon përherë e më shumë interesin e turistëve që e kanë vizituar.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “që prej muajit janar kalanë e Beratit e kanë vizituar 20 439 turistë vendas e të huaj. Nuk jemi as në gjysmat e niveleve të 2019 para pandemisë COVID-19, por grupet e shumta kryesisht me turistë të huaj janë shenja optimizmi”.
Sipas tij, gjatë muajit qershor kjo kala u vizitua nga 3163 turistë vendas e të huaj, si polakë, ukrainas, çekë, gjermanë, francezë, etj.
“Kalaja e Beratit është një nga atraksionet e preferuara turistike në Shqipëri, e cila po gjallërohet nga vizitorët, të cilët shfaqin interes për zbulimin e historisë dhe arkitekturës”, – tha Kallfani.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.
Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.