Këshilltari i kryetarit të PD, Lulzim Basha, për pushtetin vendor, Roland Bejko, foli sot nga studio e lajmeve të MCN TV për pozicionin e ish-liderit të së djathtës, Sali Berisha dhe shpalljen e tij non grata nga SHBA.
Duke e cilësuar si ekuacion me shumë të panjohura, Bejko tha se Berisha duhet të ishte distancuar nga struktura e PD që prej 2013-ës.
Sipas tij, të qenit sërish deputet e vështirëson pozicionin e tij, ndërkohë që shtoi se ish-lideri nuk duhet të përdorë PD-në për vendimet e tij.
“Nuk kam asnjë mendim për këtë. Ka një ekuacion me shumë të panjohura në këtë mes. SHBA e ka shpallur non grata, ndërkohë në PD ka kontribut të jashtëzakonshëm.
Unë do doja që në 2013-ën Berisha të kishte mbajtur distancë nga struktura e PD. Ai krijoi një institucion tjetër që është “qytetari digjital”.
Berisha tani është në një provë të madhe. Të qenit deputet do ta vështirësonte pozicionin e tij, do doja që ta merrte vetë vendimin dhe të mos përdorë PD.
Unë uroj më të mirën për Berishën, por do doja të kishte një raport të sinqertë dhe të drejtë me PD-në”, tha Bejko.
I pyetur gjithashtu për paralajmërimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha për rishikim e reformës territoriale, Bejko tha nuk ka më pjesëmarrje të qytetarëve në qeverisje, për shkak të shkrirjes së komunave dhe përqendrimit të bashkive në zonat urbane.
“Ne nuk kërkojmë as më shumë as më pak se sa reforma territoriale e cila e përkthyer në shkrirjen e komunave dhe bashkimin me bashkitë nuk kanë arritur qëllimin.
Përveç shërbimeve të shtuara numri i punonjësve është shtuar dhe gjatë zgjedhjeve shtohen edhe më shumë me pretekste nga më të ndryshmet dhe nuk ka transparencë. Kemi një centralizim më të thellë fiskal sepse bashkitë gjithçka e marrin nga qeveria.
Nuk kemi më pjesëmarrje të qytetarëve në qeverisje. Kjo, për shkak se bashkitë u përqendruan në zonat urbane. Në veri është krijuar një amalgamë.
Nga ana tjetër u synua pjesëmarrje e madhe e qytetarëve në vendimmarrje dhe qytetarët janë tërësisht për përjashtuar dhe nëse në një bashkësi fshatrash kishin komunën, kryepleqtë sot drejtuesit e qendrave administrative janë të emëruar dhe të zgjedhur nga kryetarët e bashkive.
U synua që përmes bashkive të mëdha do kishte zhvillim ekonomik më të lartë, por kemi të kundërtën e kësaj. Bashkitë të cilat janë të bashkuara me zonat rurale janë të përqendruara tek qytetet dhe për këtë arsye kemi dyndje drejt metropolit dhe kemi boshatisje të periferive në Shqipëri”, tha Bejko.
Z. Bejko, ndalemi pak edhe ne zhvillimet e brendshme te PD. Keni qenë kritik edhe ne ditën e zgjedhjeve, dhe keni qenë kritik edhe tani, pas Kuvendit Kombëtar të PD. Pse thoni se gaboi Basha? Ne cilën pikë?
Bejko: Unë kam qenë shumë i angazhuar këto dy muaj. Ka pasur vend për debat por ju e keni parë gotën gjysme bosh. Unë dëshiroj që PD të ndryshojë dhe të jetë më demokratike. Kështu PD do fitonte një kartë të rëndësishme të modernizimit të partisë të përbënim një element simpatik.
Unë kam kërkuar një parti që të kishte diversitet. Ne kemi ëndërruar një Shqipëri që do të ishte në BE. Ne kërkojmë një Shqipëri të banueshme për të gjithë. Me Bashën i cili është një figurë e re do doja të kthehej në lider demokratik dhe të japë një frymëzim të përbashkët.
PD ka nevojë për ideologjinë e vet. Ajo që më tromaks është se justifikojmë disfunksionalitetin e shoqërisë. Vendimet që merren në liri janë vendimet më të mira. Në PD gëlon debati dhe duhet të menaxhohet çdo zë kritik. Ne kemi 20% të këshillit kombëtar të rinj.
Me Berishën çfarë qëndrimi duhet të kishte mbajtur PD?
Bejko: Nuk kam asnjë mendim për këtë. Ka një ekuacion me shumë të panjohura në këtë mes. SHBA e ka shpallur non grata ndërkohë në PD ka kontribut të jashtëzakonshëm. Unë do doja që në 2013-ën Berisha të kishte mbajtur distancë nga struktura e PD.
Ai krijoi një institucion tjetër që është “qytetari digjital”. Berisha tani është në një provë të madhe. Të qenit deputet do ta vështirësonte pozicionin e tij, do doja që ta merrte vetë vendimin dhe të mos përdorë PD. Unë uroj më të mirën për Berishën, por do doja të kishte një raport të sinqertë dhe të drejtë me PD-në.
Kam deklaruar se nuk kthehem më në Gjirokastër. Kam shpenzuar kohë pafund dhe kam nxjerrë deputetë, por jam penguar vetë 2 herë, në 2013-ën dhe në këto zgjedhje për shkak të mënyrës së ndarjes së mandateve.