Kanë kaluar plot 39 vite. Edhe atëherë ishte 11 korrik dhe ditë e diel, ashtu si sot para finales së “Wembley”-t. Ndryshimi është se atëherë luhej në “Santiago Bernabeu”, përballë ishte Gjermania dhe sfida vlente për majën e botës.

Heronjtë e Italisë kampione bote të vitit 1982 kanë vlerësuar t’u shkruajnë një letër inkurajuese futbollistëve që nën drejtimin e Roberto Mancinit, do të synojnë fitoren në finalen e sotme ndaj Anglisë, për t’u shpallur Kampionë Europe.

Gaetanio Scirea, Paolo Rossi, Enzo Bearzot dhe Cesare Maldini ishin heronjtë e Spanjë 1982, të cilët janë ndarë nga jeta, teksa fëmijët e tyre firmosën për ta në letrën e dërguar përfaqësueses së Roberto Mancinit.

“Javët e fundit kemi parë te ju shumë, shumë prej vetes tonë dhe historisë tonë sportive e njerëzore. Kemi gjetur veten në guximin tuaj, në pasionin tuaj, në ndjenjën tuaj të përkatësisë dhe në vrullin për të ecur përpara, pas një periudhe të vështirë. Historitë e bukura nuk harrohen kurrë, sepse nuk mbarohen kurrë. Ato bëhen emocione që mbeten me kalimin e kohës, kujtime që forcohen, duke kaluar nga zemra në zemër, nga kujtesa në kujtesë. Do të jetë e njëjta gjë edhe për ju, çfarëdo që të ndodhë.

Faleminderit që na bëtë të rijetojmë të gjitha këto, që na bëtë të ndjehemi edhe njëherë të rinj e të patrembur dhe që na treguat se brenda çdo italiani ekziston një forcë e thellë, e madhe dhe shpesh e paparashikueshme, që shpërthen në momentet e vështira dhe bën gjithçka të mundur. Gjithmonë guxoni, ëndërroni për të ardhmen, ëndërroni për të ardhmen që mund të ndërtoni. Dhe tani shkon i në Londër, zbrisni në atë fushë dhe jepni gjithçka, siç keni bërë deri tani. Historitë e bukura nuk mbarojnë kurrë. Forca djema!”, shkruhet në letrën e firmosur nga heronjtë e Italisë kampione bote më 1982-shin.

Firmëtarët e letrës: 1 Dino, 2 Franco, 3 Beppe, 4 Antonio, 5 Fulvio, 6 Claudio, 7 Gaetano-Mariella, 8 Pietro, 9 Giancarlo, 10 Beppe, 11 Gian Piero, 12 Ivano, 13 Lele, 14 Marco, 15 Franco, 16 Bruno, 17 Daniele, 18 Alessandro, 19 Ciccio, 20 Paolo-Federica, 21 Franco, 22 Giovanni, C.T. Enzo-Cinzia, All. in seconda Cesare-Paolo.