Kushdo që mund t’i hedhë një sy listës së anëtarëve të Këshillit të ri Kombëtar të PD që u votua ditën dhe u numërua natën mund të kuptojë fare lehtë se aty nuk ka qoftë edhe një emër që në një moment të caktuar të ketë qenë kritik i zëshëm ndaj mënyrës se si sot po ecën PD e aq më shumë të kundërshtojë apo shfaqë ndonjë vërejtje për kreun e partisë.
Lista e re e Këshillit Kombëtar (ajo e votuara) është pasoja më e mirë e asaj që tha vetë Basha se ai kurrë më nuk do të kthejë faqen tjetër me kundërshtarët që sot rëndom po etiketohen nga ai si “njerëz inatçor” “apo përfitues të përkohshëm”.
Në listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar nuk është më asnjë prej emrave të Grupimit “Për PD-në” (grupi kritik ndaj Bashës) përveç Bujar Nishanit i cili sipas të njëjtës logjike nuk do të ishte as ai anëtar i këtij forumi nëse nuk do të përfitonte nga statuti për tu kooptuar në Këshill si ish-president i Republikës.
Edith Harxhi, një tjetër emër, nuk hyri në Këshillin Kombëtar edhe pse i ra rreth e qark degëve të PD-së për rreth tre javë në garën për kreun e partisë. Nuk është më as Arben Ristani një tjetër zë kritik që deri dje ka qenë pjesë e Këshilli Kombëtar.
Por as Halim Kosova i cili nuk e kurseu PD-në në kohën më të pafavorshme për të, gjatë fushatës zgjedhore, e as Sahit Dollapi që dha dorëheqjen e menjëhershme pas humbjes zë zgjedhjeve si Sekretar organizativ, as Lisandër Hoxha ish-nënkryetari i FRPD e deri tek emri i Erald Kaprit “faji” i vetëm i të cilit ishte se ai u angazhua me PR-in e një tjetër kandidati në garë për kryetarin e PD-së, Agron Shehaj, i cili braktisi punimet e të shtunës menjëherë pas fjalës së Lulzim Bashës.
Në listën e re të Këshillit Kombëtar gjen emra kandidatësh që nuk u futën në listën fituese për deputet por që u promovuan direkt nga Lulzim Basha si Oriela Nebijaj apo Andi Lila, apo edhe emra anonim të propozuar nga strukturat zyrtare të partisë, pa kontribut thelbësor gjatë fushatës.
Lista e anëtarëve të votuar të Këshillit Kombëtar nuk spikat emra potencialë. Ajo e kooptuara (ku futet kryesia aktuale, ish-president apo kryeministra dhe deputetët e zgjedhur) edhe mund të diskutohet
“Më shumë se ekipe drejtuese politike ato ngjajnë me trupat jopolitike 100% besnike ndaj eprorit emërtues, një prej faktorëve me ndikim në shndërrimin e partive politike në kooperativat e fundit të sistemit të kaluar në aspektin organizativ, në pengesë kryesore e demokracisë funksionale në aspektin vendimmarrës, si dhe në klikat më të fuqishme oligarkike e korruptive të sistemit të ri në aspektin e fuqisë dhe ushtrimit të pushtetit”, komentoi ditën e Kuvendit të PD, analisti Afrim Krasniqi.
Këshilli kombëtar nuk ka më as rolin e dikurshëm.
Nisur nga përbërja e re, kryesia që do të prodhojë ky Këshill nuk do të ketë ndonjë risi.
I vetmi dallim ndoshta mund të jetë Fatbardh Kadilli nëse do të jetë sërish pjesë apo jo nga lista e njerëzve që kanë “dalë nga reshti”.
Të tjerët thjesht një numër më shumë…në kryesi.
Surpriza mund të presim vetëm nga grupi parlamentar i zgjedhur i PD-së.(SI)