Pasi i dha fund aventurës së tij me klubin qe e bëri të madh, pra Greuther Furth, Mërgim Mavraj mbetet në Gjermani, por e rinis nga liga e 3-të gjermane. Ish-kapiteni i Shqipërisë ndihmoi Greuther Furth të ngjitej në Bundesligën e parë gjermane dhe tani ka vendosur të provojë një eksperiencë të re. Si lojtar i lirë 35-vjeçari shqiptar ka firmosur zyrtarisht Turkgucu Munchen skuadër që prej një sezoni bën pjesë në kategorinë e tretë dhe është themeluar nga komuniteti turk në Munich, 46 vite me parë.
Te Turkgucu Munchen që këtë sezon do të synojë ngjitjen në Bundesligan e 2-të, janë shumë entuziast për firmën me një qëndërmbrojtës ekspert si Mavraj. “Mërgimi është një lojtar me përvojë dhe cilësitë e tij do na ndihmojnë. Ai është një mbrojtës pozicional, është i fortë në lojën në ajër dhe bën një hapje të mirë të lojës. Mërgimi gjithashtu ka një personalitet të fortë dhe për këtë arsye do të luajë një rol të rëndësishëm në ekipin tonë”, tha drejtori sportiv i Turgucu Munchen, Roman Plesche.
Vetë Mavraj ndërkohë ka deklaruar: “Në këtë klub vë re shumë gjëra që kanë dalluar dhe kanë formuar karrierën time. Mund të zgjidhja ndonjë rrugë më të lehtë, por nuk më pëlqen t’i bie shkurt, ashtu sikurse edhe Turgucu Munchen nuk i pëlqen të gjejë rrugën e lehtë. Do punojmë së bashku si komunitet për të arritur te sukses”.