Në qytetin e serenatave u mbyll mbrëmjen e djeshme edicionin e pestë “Albania Guitar Festival”, që dhuroi emocione, argëtim e muzikë për qytetarët dhe turistët e Korçës. Ky festival tashmë është kthyer në tradite jo vetëm në qytetin juglindor por edhe më gjerë, ku përveçse promovohet art, këtë vit në fokus ishin edhe monumentet e trashëgimisë kulturore.
Kitaristi spanjoll i stilit flamengo Jose Carlos Gómez nëpërmjet tingujve të tij, zbukuroj mbrëmjen me atmosferën e krijuar në pazarin e Korçës. Gomez vjen për herë të parë në Shqipëri dhe shprehet i impresionuar nga vendi dhe mikpritja.
“Është hera e parë që vij një Shqipëri, dhe padyshim që është kënaqësi që jam në Korçë. Më pëlqen shumë ky qytet ka njerëz të mirë, kam dëgjuar që ky është qyteti i serenatave dhe është vend që i pëlqen muzika dhe jam i kënaqur që interpretoj këtu sepse njerëzve ju pëlqen kitara dhe muzika”, u shpreh kitaristi Spanjoll.
Për drejtorin artistik të festivalit Denis Bizhga festivali përmbushi misionin e tij si për të promovuar qytetet ashtu edhe për të dhuruar muzikë.
“Në këtë edicion të 5 ne kemi menduar që të kemi larmishmëri artistësh. E nisëm në datën 1 korrik në kishën në Rubik sepse menduam që pas pandemie të promovojmë muzikën e bukur në momentet e trashëgimisë tonë kulturore. Mbrëmjen e sotme mbyllim festivalin në pazarin e Korçës dhe atmosfera është shumë e bukur. Festivali u organizua në Rubik, në Elbasan në Tiranë gjithmonë për të promovuar edhe qytetet por edhe muzikën e bukur të kitarës”, u shpreh drejtori artistik i festivalit.
Bizhga po ashtu pohon se ishte zgjedhje e tyre për të pasur larmishmëri personazhesh në këtë festival
“Kemi menduar ta mbyllim me një spanjoll në stilin flamengo pasi qëndron bukur në qytetin e serenatave dhe publiku po e mirëpret. Gjithmonë koraca ka qenë etapë e festivalit të kitarës por duam të sjellim gjithmonë cilësi më të mirë. Teknikat e tij do të ndihmojnë edhe brezin e ri që të shikojë mënyrat më të reja të të luajturit të kitarës”, tha Bizhga.
Albania Guitar Festival është aktivitet qe ka si synim përmirësimin e instrumentit të kitarës në Shqipëri.