Mediat italiane e kanë kritikuar gjyqtarin Danny Makkelie për vendimet e tij në fitoren e Anglisë 2:1 kundër Danimarkës në gjysmëfinale të Euro 2020 të mërkurën, duke thënë se ai iu ndihmoi tre luanëve të arrinin në finale. Anglia e arriti finalen e parë pas plot 55 vjetëve, kur e kishte fituar Kupën e Botës më 1966, pas një triumfi të mundimshëm në kohën shtesë falë një penalltie kontroverse në Wembley. Shumë njerëz ishin të mendimit se vendimi i Makkelie për t’i dhënë Raheem Sterlingut një penallti për kontakt minimal brenda zonës ishte i dobët. Përveç se kontakti fizik ishte minimal, në fushë ndodheshin dy topa kur Raheem Sterlingu e fitoi penalltinë.

Vendimi i gjyqtarit Makkelie u kontrollua nga gjyqtarët e tjerë në dhomën e VAR-it, por asgjë nuk ndryshoi dhe, edhe pse Kasper Schmeichel e mbrojti penalltinë e Harry Kane, kapiteni i anglezëve shënoi nga topi i kthyer për t’i dërguar tre luanët në finalen e së dielës në Wembley. Anglia do të përballet me Italinë në finalen e të dielës mbrëma më 11 korrik në Wembley. E përditshmja italiane, Il Corriere delo Sport, e kritikoi ashpër gjyqtarin holandez, duke shkruar haptazi se ai e ndihmoi skuadrën e Gareth Southgate. “Në fushë ishin dy topa dhe një penallti që nuk ekzistoi”, shkroi në ballinën e vet gazeta me bazë në Romë.

Me vendimin e gjyqtarit s’u pajtua as korrespondenti i La Gazzetta dello Sport për Angli, Stefano Boldrini, i cili e analizoi incidentin. “Sa keq sepse ky ekip nuk ka nevojë për ndihmë, por kështu ka ndodhur gjatë muajit të fundit”, tha Boldrini.