Shkencëtarët thonë se mënyra se si një individ mund të kontrollojë një automjet, tregon fazat e hershme të sëmundjes së Alzhemier.

Në një eksperiment për të zbuluar këtë gjë një grup 65- vjeçarësh në Uashington, SHBA ranë dakord që makina e tyre të monitorohej për një vit.

Ajo që studiuesit donin të zbulonin ishte nëse mënyra se si ata drejtonin makinën mund të zbulonte shenjat fillestare të sëmundjes, pa nevojën e procedurave mjekësore invazive ose të shtrenjta.

Pas 365 ditëve të grumbullimit të informacionit, ata arritën në përfundimin se 139 persona të përfshirë në studim, kishin simptoma shumë të hershme ose “paraklinike” të Alzheimerit.

Gjysma tjetër jo. Analiza e drejtimit të tyre zbuloi ndryshime të dallueshme midis dy grupeve. Në mënyrë të veçantë, ata me simptoma kanë tendencë të ngasin makinën më ngadalë, të udhëtojnë më pak natën dhe të regjistrojnë më pak kilometra në përgjithësi.

“Mënyra se si njerëzit lëvizin brenda mjediseve të tyre të përditshme, duke filluar nga vendet ku ata vizitojnë deri tek mënyra se si ngasin makinën, mund të na tregojë shumë për shëndetin e tyre”, thotë Sayeh Bayat, një psikolog në Universitetin e Torontos, i cili drejtoi studimin.

Studiuesit që drejtuan studimin më parë kishin ndarë pjesëmarrësit e tyre në ata me simptoma dhe ata pa simptoma, duke përdorur teste mjekësore që përdoren në përgjithësi.

Kur bënë krahasimet ekspertë kuptuan se mund të dallonin personat e prirur për Alzhemier duke parë se si drejtojnë makinën dhe duke ditur moshën e tyre. Ekspertët shpjegojnë se nevojiten studime më të mëdha në numër dhe të rastësishme për të treguar më shumë të dhëna.

Sipas tyre kjo mund të jetë një mënyrë me kosto të ulët për të zbuluar gjendjen në një fazë të hershme, duke mbështetur potencialisht trajtimin. Fakti që njerëzit mund të identifikohen nga sjellja dhe mënyra se si lëvizin se kanë gjasa për t’u prekur nga Alzhemier , është dokumentuar edhe më parë nga Instituti Kombëtar i SHBA mbi Plakjen.

Sipas Bayat kërkon mbledhjen e të dhënave me kalimin e kohës për analiza të hollësishme.

Laura Phipps nga fondacioni “Alzheimer’s Research” në Britaninë e Madhe thotë se studimi është “me të vërtetë interesant”, duke shtuar se ka raporte që tregojnë se ndryshimet në sjelljen e vozitjes shpesh vërehen nga anëtarët e familjes së një personi i cili më vonë është diagnostikuar me sëmundjen.(BBC, gazeta “Si”)