Kancelarja gjermane Angela Merkel përsëriti kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të plotë të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), por shprehu mbështetje për lidhje më të ngushta me Ankaranë duke përditësuar Bashkimin Doganor BE-Turqi dhe një marrëveshje kyçe për refugjatët. ”Pikëpamja ime politike për këtë është e njohur mirë. Nuk e besoja që Turqia do të bëhej anëtare e BE-së dhe ende nuk e shoh që të bashkohet me BE-në. Por, pavarësisht kësaj, unë dua të kemi marrëdhënie shumë të mira me Turqinë”, tha Merkel në një konferencë shtypi përpara zgjedhjeve të përgjithshme në shtator në cilat do të zgjidhet pasardhësi i saj.
Liderja konservatore në largim nënvizoi se ajo ka bërë përpjekje të forta në muajt e fundit për të përmirësuar lidhjet midis BE-së dhe Turqisë dhe gjithashtu përmendi se si muajin e kaluar udhëheqësit evropianë arritën marrëveshje për të hapur rrugën për një bashkëpunim më të ngushtë. Merkel tha se ”BE-ja dëshiron të modernizojë Bashkimin Doganor 25-vjeçar me Turqinë dhe të rinovojë marrëveshjen e refugjatëve të vitit 2016 që synon ndalimin e migrimit të parregullt dhe sigurimin e mbështetjes për refugjatët sirianë”. ”Turqia po bën një punë të shkëlqyer për t’u kujdesur për refugjatët sirianë. Ne i dhamë mbështetje Turqisë, por natyrisht, kjo ishte një shumë e vogël”, tha ajo, duke iu referuar zotimeve financiare të BE-së si pjesë e marrëveshjes së refugjatëve të vitit 2016.