Grupi për PD ishte një ndër zërat kryesorë që kërkuan reformim të Partisë Demokratike, si në struktura dhe në statutin e saj, por ata nuk kanë dorëzuar asnjë propozim për ndryshime statutore. Edith Harxhi, ish-kandidatja për kryetare të PD shprehet për A2 se asnjë nga propozimet që mund të kishin bërë nuk do të merrej parasysh, duke na sjellë një rast që sipas saj e vërteton këtë çështje.
“Duhet të kemi parasysh diçka që në vitin 2017 unë kam dalë me një set propozimesh për ndryshime në PD. Madje unë kam propozuar një statut të ri. Nuk është marrë parasysh edhe gjatë diskutimeve që janë bërë në Këshillin Kombëtar. Kam debatuar personalisht me kryetarin e partisë në atë kohë”, shprehet Edith Harxhi. Për Harxhin propozimet e Bashës nuk janë risi, por janë një tjetër hap për të privatizuar edhe Këshillit Kombëtar të PD.
“Zoti Basha i ka propozuar këto si risi. Përkundrazi, ky është një kthim mbrapa i PD. Duke qenë se kryetari Basha kërkon të kontrollojë përfundimisht Këshillin Kombëtar, i cili deri tani kishte një lloj pavarësie deri diku”, tha ish-kandidatja. Zgjedhjet për një Këshilli të ri Kombëtar Harxhi i cilëson si spastrimin e fundit që kryetari Basha do që t’i bëjë zërave kritikë.
“Kjo do të jetë fshesa e radhës, pastrimi i radhës, spastrimi i radhës në PD për arsye sepse kjo bëhet për të larguar nga partia ata që nuk janë besnikë të kryetarit”, shtoi Harxhi. 12 korriku shënon ditën e fundit për të propozuar ndryshime statutore panë komisionit të përhershëm statutor të PD, të cilat do të miratohen në 17 Korrik nga Kuvendi Kombëtar.