Synimet për zhvillim individual dhe për karrierë po shtyjnë moshën e mëmësisë për gratë. Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2020 është vënë re një rritje e numrit të lindjeve në grupmoshat 30-34 vjeç, 35-44 vjeç në krahasim me vitin 2016, pra gratë po preferojnë të lindin pas të 30-tave.
INSTAT thekson se në vitin 2016 në 1000 gra të moshës 20-24 vjeç numëroheshin 74 lindje, ndërsa në vitin 2020 vetëm 55 lindje. Rritje pati edhe për gratë mbi të 40-tat, ku në vitin 2016 kishte 4.9 lindje në 1000 gra të moshës 40-45 vjeç, ndërsa në vitin 2020 në 1000 gra të kësaj moshe pati 5.8 lindje. Rënia e numrit të lindjeve vit pas viti, ka përkeqësuar cilësinë e zëvendësimit të brezave, pasi po rritet hendeku I zëvendësimit të femrave po sipas INSTAT.
Koeficienti Bruto i Riprodhimit është një treguesi mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm, pasi mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten e tyre gjatë viteve të jetës riprodhuese. Në vitin 2020, ky koeficient ishte 0.65 që do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 35% larg zëvendësimit të vetvetes ose përndryshe numri i lindjeve të 2020 ishte 28.075 lindje. Për lindjet djem gjatë 2020 ka patur një rënie prej 2,7%, ndërsa për lindjet vajza rënia ishte 0,6%.