“Vaksinimi i fuqishëm gjatë sezonit të verës na bën më të sigurt që nëse do të ketë qarkullime të tjera të viruseve gjatë vjeshtës, ne të jemi më të mbrojtur”, deklaron në një intervistë për ATSH, Erida Nelaj, përgjegjëse e programit kombëtar të vaksinimit në ISHP.

Nelaj apelon që të gjithë duhet të vaksinohen pasi sipas saj, “sa më shumë persona të vaksinohen aq më të përgatitur jemi për t’i paraprirë çdo lloj situate në vazhdim”.

“Me të vërtetë që është shumë i rëndësishëm vaksinimi dhe nuk është vetëm i kohëve të fundit sepse ne me vaksinimin kemi filluar që në janar të këtij viti. Ritmet u rritën shumë gjatë muajit mars dhe në vazhdim. Ne kemi arritur mbi 1 milion vaksinime të kryera që do të thotë që po krijojmë një formë mbrojtje apo barrierë për koronavirusin. Sa më shumë persona të vaksinohen aq më të përgatitur jemi për t’i paraprirë çdo lloj situate në vazhdim. Vaksinimi i fuqishëm gjatë sezonit të verës, na bën më të sigurt që nëse do të ketë qarkullime të tjera të viruseve gjatë vjeshtës, ne të jemi më të mbrojtur”, thekson Nelaj për ATSH.

Ndërsa sa i përket varianteve të reja të COVID-19 siç është Delta, Nelaj thekson se vaksinimi ndihmon që të kalohet më lehtë ose të mos e përjetojmë fare si virus.

“Viruset ndryshojnë vazhdimisht dhe gjithmonë ka variante të ndryshme virusesh dhe të paktën deri tani vaksinat kanë qenë efikase për shumicën e tyre me ndryshimet e vogla që mund të kenë. Për variantin Delta duhet të jemi më të kujdesshëm, por sigurisht që duhet të vaksinohemi, pasi vaksinimi na ndihmon që ta kalojmë lehtë, ose të mos e përjetojmë fare si virus dhe më e rëndësishmja është që të mos kemi komplikacione dhe të mos përfundojmë në spitale”, deklaroi ajo për ATSH.