Elseid Hysaj nuk bëri zgjedhjen më të zgjuar, kur vendosi të këndojë “Bella Ciao” në prezantimin e tij te Lazio.
Kolona zanore kushtuar lëvizjes partizane në mbarë botën tërboi ultrasit lacialë, të cilët edhe njihen si ekstremistë të djathtë.
Ofendimet në rrjetet sociale ishin të panumërta, ndërkohë që Lacio i doli në mbrojtje shkodranit: “Është detyra e klubit të mbrojë lojtarët dhe t’i lirojë ata nga shfrytëzimi personal dhe politik, që sigurisht në këtë rast nuk kanë asnjë lidhje me kontekstin joformal dhe miqësor (ku ndodhi episodi me Hysajn).
Grumbullimi i ekipit duhet të vazhdojë me angazhim maksimal sportiv dhe në atmosferën e qetë, që ka vazhduar deri më tani”.
As pas kësaj tifozët nuk janë qetësuar, pasi kanë shpalosur një banderolë kundër mbrojtësit të kombëtares shqiptare.
“Hysaj një krimb, Lazio është fashiste”, shkruajnë ultrasit e Lazios, që me siguri do rezervojnë ndonjë surprizë tjetër edhe kur të nisë kampionati.