Nga Alfred Peza/
Lulzim Basha kishte premtuar se do të bënte namin pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 25 prillit, sepse e konsideron të vjedhur “fitoren”, pavarësisht se në 9 shtator pranoi se do të futet në Parlament. Por mjafton që të shihni rrjetet e tij sociale, për të kuptuar se pasi futi mandatin e ri të Kryetarit të PD në xhep, ka nisur pushimet e gjata verore duke bërë atë që ka ditur gjithmonë që të bëjë më mirë në jetën e tij.
Monika Kryemadhi ka kohë që është zhdukur nga jeta aktive politike dhe virtuale, qëshkurse mësoi se nga 20 deputetë mandatin e kaluar, e katandisi në këto zgjedhje LSI me vetëm 4 ulëse në Kuvendin e ri. Me përjashtim të ndonjë postimi me rastin e festave fetare, i gjithë aktiviteti i saj publik, simbolizohet në 3 muajt e fundit me fotot me një këngëtare mikeshë e familjes, të shkrepura përgjatë një udhëtimi privat në SHBA.
Ilir Meta pas shkarkimit nga Parlamenti si President i Republikës, i harroi deklaratat që kishte bërë para dhe pas të dielës së votimeve, për tu marë me hallet personale që thuhet se e presin deri në shtator. Me përjashtim të ndonjë urimi për festat fetare, fotove me qokat për kolegë të PD dhe nga plazhet e Shqipërisë, as Kryetari i Shtetit nuk po arrin që të dali në publik përmes mesazhesh që burojnë nga pozicioni i tij Kushtetues.
I vetmi që nuk di të bëjë gjë tjetër, por veçse të vijojë të postojë e të postojë çti dali përpara në emër të “qytetarit digjital”, është Sali Berisha. Më shumë sesa do të denoncojë ndonjë gjë me vlerë, apo të japi mesazhe prej opozitari të paeupur, duket se ka merak tu përcjellë ndjekësve të tij idenë se është i pashqetësuar e se nuk po e përjeton edhe aq keq vendimin e Departmanetit Amerikan të Shtetit që e shpalli “non grata” bashkë me familjarët e tij.
Liderët e opozitës sonë nuk po arrijnë as ta pranojnë me gojën plot dhe me kokën poshtë humbjen historike në zgjedhje, as të artikulojnë një qëndrim të qartë se çdo bëjnë pas kësaj. As tani, as gjatë javëve në vijim dhe as me fillimin e sezonit të ri politik në shtator. Nuk po ia dalin as të prodhojnë politikë, as mesazhe të qarta për shqiptarët dhe as një platformë të re që do të zbatojnë në 4 vitet e këtij mandati të ri opozitar.
E vetmja gjë që kanë prodhuar deri më sot, është qetësia olimpike brenda kampit opozitar, a thua se i kanë të gjitha punët mbroth dhe u mbetet vetëm ta shijojnë mirësinë që u solli ky vit elektoral. Është një qetësi e frikshme, për çdo demokrat të shqetësuar dhe për çdo opozitar të angazhuar, që pret të mësojë e të kuptojë se çdo bëjë lidershipi i tyre deri në vitin 2025?! Është një qetësi dekurajuese dhe jo nga ato që të ndjellin pritshmëri pozitive, e të bëjnë ti kalosh me optimizëm pushimet.
Momentet e një qetësie të gënjeshtërt si kjo, nuk ndjellin siguri dhe opotimizëm, por veç shkrepëtima e bubullima për të ardhmen. Shenjë e qartë jo vetëm e prishjes së motit politik në horizont, por edhe lajmëtare e furtunës së pashmangshme mbi qiellin opozitar. Është furtuna që pret të mari përpara pemët më të larta të PD dhe LSI fillimisht dhe të tjera më pas, pjesë e kulturës së pandëshkueshmërisë së 30 viteve të korrupsionit dhe krimeve në emër të pushtetit e shtetit.
Pas ngritjes dhe funksionimit normal të institucioneve të sistemit të ri të drejtësisë, kësaj furtune nuk i shpëton dot më askush, ndaj e kanë të kotë që janë strukur. Plagët që i kanë shkaktuar këtij vendi e këtij populli, nuk janë nga ato që i shëron koha, por vetëm një operacion i thellë dhe i dhimbshëm që mundëson heqjen e masës tumoriale nga trupi i shëndoshë i shoqërisë. “Dimri po vjen” për të gjithë mëkatërët, madje më i ftohtë dhe më i acartë se kurrë, që nga koha e rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.
Ndaj kjo qetësi që ka nisur të mbretërojë këto ditë në Tiranën politike dhe mediatike, është si çdo gjë tjetër në këtë jetë, e përkohëshme. Shqiptarët e bënë zgjedhjen e tyre me votë. I metirojnë plotësisht edhe pushimet verore, pas një periudhe të gjatë pandemie globale. Ndaj po e shijojnë sipas mënyrës së tyre këtë qetësi. Pas vaksinimit ndaj covid-19, me ndihmën e SHBA e BE ka shpresë, sepse i është gjetur ilaçi edhe të keqes politike që po na mundte të gjithëve!