Nga Mero Baze/
Ndërsa SPAK gjatë kësaj javë ka çuar në qeli rreth 17 zyrtarë publik, lidhur me dy tenderë korruptivë në Lushnjë dhe Tiranë, duket se më shumë ka shqetësuar opozitarët se sa vik timat. Shqetësimet janë me shumë ngjyra. Lulzim Basha për shembull ngul këmbë që të arrestohet Edi Rama, jo ata që ka kapur SPAK. Enkejeld Alibej, bën zbulime të tjera. Ai e paska ditur tri ditë më parë, se aksioni i SPAK është dekonspiruar . Petrit Vasili po ashtu duket pik e vrerë, për këtë që ka ndodhur, por tek LSI është më e kuptueshme mërzitja ndaj aksioneve të tilla.
Arsyeja kryesore përse opozitarët janë të shqetësuar është e kuptueshme Veprimi i SPAK lë në hije aksionin politik të opozitës, që bën opozitë me buletinin e prokurimeve publike, duke sulmuar çdo tender, ku nuk ka gisht ndonjë opozitar. Duke hyrë në veprim SPAK, këtu ndahen gënjeshtrat nga denoncimet e vërteta dhe opozita “humbet vendin e punës” që i ka caktuar vetes këto vite. Duke qenë se gjithë bota e tyre rrotullohet rreth tenderëve, kjo përfshirja e SPAK në këtë histori u duket sikur i lë pa punë. Në rastin konkret, në asnjë nga rastet nuk ka pasur denoncim nga PD. Për rastin e Lushnjës ka denoncuar rivali në garë ndërsa për rastin e uniformave ka denoncuar opozita parlamentare që PD e akuzonte si bashkëpunëtorë të Ramës.
Nga ana tjetër, në këtë fushatë mërzitje të PD dhe opozitarëve në përgjithësi, duket se ka dhe elementë të rinj veprash penale, që duhen hetuar. Për shembull Enkelejd Alibej, ka deklaruar se ai dhe PD kishin informacion se aksioni i SPAK ishte dekonspiruar tri ditë më parë se të bëhej. D.m.th. PD e ka ditur se tri ditë më parë, dikush nga SPAK ka dekonspiruar aksionin. Në këtë rast SPAK duhet të ruaj dinjitetin e vet dhe duhet të thërrasë Enkelejd Alibeajn, në cilësinë e personit që ka dijeni të dëshmojë kush i ka dekonspiruar aksionet dhe si e ka marrë vesh ai. Nëse ka gënjyer, që të mos duket opozitar i papunë, atëherë duhet të përballet me ligjin. Nëse di vërtet diçka dhe ka ndodhur, atëherë është rasti të ketë arrestime të reja dhe për këtë çështje.
Edhe pse nuk ka ndonjë gjë që SPAK-un e ka dëmtuar në këtë aksion, pasi ka arrestuar ata që ka dashur, përsëri ka shumë rëndësi, që akuza e Alibeajt, të hetohet për të ndalur përbaltjen e SPAK, dhe tendencën për të relativizuar punën e tyre, duke i kthyer nga institucion, akuze në një institucion që bashkëpunon me politikën për të shpëtuar viktimat e korrupsionit. Në këtë rast ose Alibeaj, ose dekonspiruesi, duhet të shkojë në gjykatë. Kështu jemi dhe më të qartë, nëse SPAK po vepron me përgjegjshmëri profesionale, dhe akoma më shumë nëse opozita jonë është e shqetësuar se po mbetet pa punë, apo se mbetemi pa hajdutë jashtë burgjeve.