Nga Denis MacShane, New European
Humbja e fundit e Marine Le Pen në zgjedhjet lokale në Francë, konfirmon faktin se në Evropë po përhapet një model i ri politik. Ai bazohet kryesisht tek identiteti dhe jo ideologjia, tek interesat jo tek idetë, dhe në shumë variante, jo tek një populist që e bazon gjithçka tek raca, kombi dhe armiqësia ndaj Evropës.
Politika binare e shekullit XX ka marrë fund. Formacionet gjigante politike unitare të shekullit të kaluar që spikatin ende në skenën e demokracisë evropiane – Konservatorët kundrejt Laburistëve në Britani, Socialdemokratët kundër Kristiandemokratëve, socialistët kundër golistëve në Francë- po zbehen.
Gjatë dekadës së fundit si profesori holandez Cas Mudde në të majtë, ashtu edhe profesori britanik Matthew Goodwin në të djathtë, proklamuan ardhjen e një dallge populiste të pandalshme kombëtare që do të pushtonte Evropën.
Ajo ishte e bazuar tek armiqësia ndaj BE-së, ndaj emigrantëve dhe ndaj asaj që filloi të quhej politika“e rizgjimit”:mbështetja për të drejtat e komunitetit LGBT, feminizmin, anti-racizmin apo të gjelbrit, që sfidonte pronësinë e makinave dhe që krijonte hapësira publike miqësore për përdoruesit e biçikletave apo këmbësorëve.
Këta profetë të populizmit mbushën faqet e analizave me shpallje me parashikimet se Le Pen, Nigel Farage, Matteo Salvini, Geert Wilders, Viktor Orban dhe parti si AfD në Gjermani, FPÖ në Austri apo Vox në Spanjë ishin në rritje dhe do të qëndronin në majë për shumë kohë.
Por njëlloj si me politikën e shekullit XX-të, janë zbehur edhe proklamatat e fillimit të shekullit XXI-të në të majtë dhe në të djathtë, sipas së cilave populizmi do të dominonte. Në Francë, kemi rikthimin e politikës klasike të qendrës së djathtë post-goliste, që u shfaq mirë në zgjedhjet e fundit, duke e ruajtur kontrollin e këshillave rajonalë.
Edhe e majta, në formën e aleancave midis socialistëve dhe të gjelbërve, ruajti kontrollin e pesë këshillave rajonalë. En Marche, partia e Macron nuk ishte formuar ende kur u zhvilluan zgjedhjet e parafundit lokale, ndaj nuk kishte shumë pretendime.
Ndërkohë, tre politikanë të qendrës së djathtë – Xavier Bertrand, Valérie Pecresse dhe Laurent Wauquiez – duhet të vendosin tani se cili prej tyre do të jetë kandidati për të sfiduar Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Macron u ngjit në krye në vitin 2017, kur Franca duhej të zgjidhte midis rrugës populisto- nacionaliste, për të cilën analistë si Mudde dhe Goodwin thanë se ishte e ardhmja e Evropës, apo shkëputjes nga politika e vjetër dhe zgjedhjes së një presidenti jo-partiak. Votuesit francezë zgjodhën këtë të fundit.
Ai moment duhet të ishte një zile alarmi për profetët e populizmit. Në fakt, Macron tani mund ta rigjallërojë jetën e partive politike tradicionale në Francë. Në zgjedhjet lokale të muajit të kaluar, Le Pen nuk arriti të shënojë përparimin që i duhej dhe që kishte parashikuar.
Kjo i zbeh shanset e saj për presidencialet e vitit të ardhshëm.
Shpresa e saj është që 2/3 e votuesve, që nuk dolën të votonin muajin e kaluar, të kenë entuziazëm të mjaftueshëm për të votuar partinë e saj Tubimi Kombëtar, për të garantuar gabimin në raundin e dytë përballë Macron.
Por Le Pen e ka humbur shkëlqimin. Herën e fundit, ajo e përdori Brexit si modelin që duhej të ndiqte Franca, ku ajo duke ndjekur gjurmët e babait të saj, kishte qenë kampione e populizmit anti-evropian, duke kërkuar shpërbërjen e eurozonës, si dhe një referendum alla anglez mbi projektin evropian.
Ajo vendosi flamurin britanik në profilet e saj në mediat sociale, por kur Brexit u rikthye në një agoni politike 4 vjeçare për Britaninë e Madhe,dhe në një dobësim të vazhdueshëm të ekonomisë britanike, ajo hoqi dorë nga modeli Brexit.
Do të ishte shumë herët që të shpërfillej pesha politike e Le Pen, por vrulli populist anti-evropian mund të ketë kaluar. Ndikimi i Geert Wilders në Holandë është zbehur ndjeshëm, ashtu siç ka ndodhur në Britani me Nigel Farage.
Matteo Salvini është një mbështetës i bindur i kryeministrit italian Mario Draghi, eurokratit të përsosur dhe ish-presidentit të Bankës Qendrore Evropiane. Salvini urdhëroi ndjekësit e tij të ktheheshin tek politika tradicionale. Ai deklaroi për “Financial Times” këtë muaj se tani besonte tek një “Evropë e fortë”.
Në Spanjë VOX e ka zhvendosur të djathtën tradicionale,Partinë Popullore, pak më shumë në të djathtë. Por nacionalizmi i tij nostalgjik alla Franko ka pak simpati në vend. Spanja ka nevojë për qasje të plotë në tregjet e BE-së dhe për turistët e Evropës Veriore.
Viktor Orban u prit me tapetin e kuq në 10 Downing Street nga kryeministri i tij anti-Bruksel, Boris Johnson. Por kryeministri hungarez shihet gjithnjë e më shumë si një homofob i urryer, dhe kryeministri holandez Mark Rutte, i ka bërë thirrje të hapur Hungarisë që të largohet nga BE.
Në Gjermani, mbështetja ndaj AfD nuk po rritet. Përkundrazi, të Gjelbrit që kanë formuar një eko-populizëm gjatë 25 viteve të fundit, po duken si partnerë të mundshëm qeverisës në Gjermaninë post-Merkel. Partia po e tregon veten si një menaxhere e ndjeshme në qeveritë lokale dhe qytetet e mëdha.
Pra, ndërsa Partia Socialdemokrate gjermane po vuan fatin e formacioneve të tjera klasike politike të shekullit XX, politika progresive dhe jo-ideologjike po rishfaqet në forma të reja. Për shembull, Macron është shumë i ashpër ndaj ideologjisë islamike.
Qeveria daneze e udhëhequr nga socialdemokrati po bashkëpunon me Ministrin e Brendshëm britanik Priti Patel përhapjen e qendrave për emigrantët ekonomikë, të cilët paguajnë trafikantët për t’i nisur nga Franca në Angli.
Socialdemokratët danezë e humbën pushtetin 20 vjet më parë kur ata refuzuan të dëgjojnë shqetësimet e votuesve mbi emigracionin. Tani që janë ri-ngjitur në pushtet, po ndalojnë martesat midis një danezi dhe një qytetari që nuk i përket BE-së nën moshën 24 vjeçare.
Ky është stili i ri post-ideologjik i fitimit të pushtetit në Evropë. Zgjidh pjesë të populizmit, por përfshiji ato në projekte më të gjera politike me elementë të fortë të investimeve sociale për të ndihmuar të majtët.
Politika e identitetit është përvetësuar gjithnjë e më shumë nga parti tradicionale në të gjithë Evropën. Koalicionet, marrëveshjet, ndarja e pushtetit, mbajtja e detyrës për 2 vjet dhe më pas hapja e rrugës për drejtuesit e tjerë janë norma e re në politikën evropiane (dhe më gjerë, për shembull në Izrael) në dekadën e tretë të shekullit të ri.
Populizmi bazohet në konceptin “Führerprinzip”, siç ndodh me Erdogan në Turqi apo Orban në Hungari. Por edhe Orban po përballet tani më një kundërshtim serioz nga një koalicion me bazë të gjerë si ai që e rrëzoi Netanyahun në Izrael.
Ndërkohë, edhe populizmi i Boris Johnson bazohet në parimin e së majtës:huazo dhe shpenzo shumë. Prandaj termi “populist”, që ishte kaq shumë në modë midis viteve 2010-2020, ka mbaruar me fillimin e epokës së Joe Biden. /Përktheu: Alket Goce-abc/