Presidenti i SHBA, Joe Biden lëshoi një mesazh për amerikanët në festën e tyre kombëtare duke theksuar se vaksinimi ishte thelbësor për arritjen e pavarësisë nga koronavirusi. Pavarësisht stimujve të shumtë dhe mungesës së furnizimeve, SHBA ishte shumë pak larg synimit të vaksinimit deri më 4 korrik, synim i vendosur nga Biden. ”Bërja e vaksinës është gjëja më patriotike që mund të bëjmë”, tha Biden me rastin e Ditës së Pavarësisë. “Kështu do të qëndrojmë përpara këtyre varianteve dhe të mbrojmë përparimin e fituar me vështirësi”, tha ai.
“Virusi nuk është mundur, ne e dimë këtë. Por, ai nuk kontrollon më jetën tonë, nuk paralizon më kombin tonë dhe është brenda fuqisë sonë të sigurohemi se nuk do të ndodhë më kurrë”, tha Biden.
Biden shënoi festën me një barbecue të madhe në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë për rreth 1 000 mysafirë të ftuar. Midis tyre kishte shumë ushtarë dhe punëtorë të kujdesit shëndetësor dhe familjet e tyre. Biden kishte dashur që 70% e të gjithë të rriturve të merrnin të paktën një dozë deri Ditën e Pavarësisë. Por, deri tani, vetëm 67% kanë marrë të paktën dozën e parë. Shtëpia e Bardhë e kishte pranuar tashmë në fund të qershorit se objektivi i vaksinimit nuk mund të arrihej deri në festën e 4 korrikut.