Rey Manaj (Lushnjë, Shqipëri, 02.24.1997) ka qenë në vitrinën e Barçës për javë të tëra, por pas “hat-trick”-ut të tij kundër Nàstic de Tarragona në miqësoren e parë të përgatitjeve parasezonale e ka vendosur veten në një vend preferencial. Sulmuesi e shfajësoi veten dhe pasi festoi një nga golat e tij u bë gati të dëgjonte zhurmën e tifozëve. Karakteri i tij rebel dhe luftëtar doli në skenë në stadiumin “Johan Cruyff”. Ai mund të konsiderohet një sulmues i keqkuptuar.
Në të gjitha ekipet ku ka qenë, gjithmonë ka shënuar gola, por nuk ka arritur “të hedhë rrënjë”. Manaj u bë një ndërkombëtar absolut me Shqipërinë vetëm 18 vjeç dhe, tani, në moshën 24 vjeç, ka kaluar në shtatë klube të ndryshme të nivelit profesional. Për Rey Manaj gjithçka filloi dhe u katapultua në Itali. Pasi ishte në kategoritë e ulëta me Sampdoria, ai shkoi te Cremonese në Serie C. Vetëm një vit më vonë (2015) tërhoqi vëmendjen e Interit.
Në ekipin e parë zikaltër mezi luajti nëntë ndeshje dhe kështu, në kërkim të minutave, vijoi transferimet: së pari te Pescara dhe më pas te Pisa. Në sezonin 2017-2018 arriti në Spanjë, i huazuar te Granada. Një vit më vonë shkoi tek Albacete. Atje luajti 37 ndeshje dhe shënoi 9 gola. Ai ishte në hijen e Zozulya, por kjo nuk e ndaloi Barçën ta shikonte atë dhe gjatë merkatos dimërore 2020 ta blinte për filialin (ekipin B), në këmbim të 700.000 euro dhe 2 milionë më shumë në formë bonusesh.
Manaj firmosi deri në vitin 2023, teksa në kontratë iu vendos një klauzolë lirimi prej 50 milionë euro. Arritja në klubin katalanas e bëri shqiptarin e parë të përmendur në ekipin e parë të Barçës (Setién e thirri atë në shkurt 2020 kundër Getafe), por e vërteta është se vendi i tij ka qenë gjithmonë te filiali (Barcelona B), ku ka një mesatare prej një goli çdo dy ndeshje. Ai është një shënues shpërthyes, i fortë dhe luftëtar, edhe pse nuk është konsideruar kurrë për ekipin e parë.
Tani Koeman ka më tepër njohuri për shqiptarin. Ka mjaftuar një miqësore në sytë e tij dhe presidentit Laporta për të treguar çfarë është i aftë të bëjë. Në çdo rast, portugezët e Famalicao dhe Cádiz po e ndjekin nga afër, nëse katalanasit e nxjerrin në shitje shqiptarin.