Një “tërmet” pritet të shkaktohet në Pallatin Buckingham nga biografia e Princit Harry, të cilën e ka shkruar fshehurazi prej një viti me ndihmën e gazetarit të famshëm dhe fitues të Çmimit Pulitzer, John Joseph Moehringer. Libri, aktualisht pa titull, thuhet se është shkruar pothuajse plotësisht dhe pritet të dalë në fund të vitit 2022. Të ardhurat ka të ngjarë të jenë me miliona dhe, megjithëse kushtet e sakta financiare nuk u bënë të ditura, Harry do t’i dhurojë për bamirësi.

Një deklaratë nga botuesi thotë: ‘Princi Harry do të ndajë, për herë të parë, rrëfimin përfundimtar të përvojave, aventurave, humbjeve dhe mësimeve të jetës që e kanë ndihmuar në formësimin e tij’ Harry do të ndajë për herë të parë përvoja nga jeta e tij, aventurat, humbjet dhe mësimet që ka marrë. Libri do të përmbajë gjithashtu rrëfime për jetën si anëtar i familjes mbretërore, ekspozimin ndaj publikut, shërbimin në ushtri dhe përvojën si baba.

Në këtë libër, Harry do të japë dhe versionin e tij të Megxit dhe arsyen pse ai dhe gruaja, Meghan Markle hoqën dorë nga rolet mbretërore duke u shpërngulur në anën tjetër të oqeanit. Duka i Sussex pritet të hedhë dritë mbi marrëdhëniet e trazuara me babanë e tij, Princin Charles dhe shkaqet e përçarjes së thellë me vëllain e tij më të madh, Princin William.