Ekonomia shqiptare duket se po lë pas me ritme më të shpejta edhe se parashikimet, krizën e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 që preku mbarë globin. Kjo tashmë vërehet në të gjithë treguesit e saj. Pas ritmeve të larta të rritjes së eksporteve dhe të ardhurave në buxhet, tashmë edhe punësimi është në trend rritës. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bën të ditur se numri i të punësuarve arriti në fund të muajit qershor mbi 710 mijë, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend.
“Lajm i mirë. Punësimi i rikthehet ritmeve të qëndrueshme të rritjes. 710,464 ishte numri i të punësuarve në muajin qershor. 32,703 të punësuar më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020”, deklaroi Denaj. Masat e ndërmarra nga autoritetet minimizuan efektet negative të pandemisë dhe krijuan premisat për një rimëkëmbje të shpejtë, ndërsa vaksinimi masiv dhe masat e tjera shëndetësore pritet t’i japin fund pandemisë.