Mbrojtësi i Paris Saint-Germain, Sergio Ramos, ka thënë se e ka një dëshirë të kamotshme për të luajtur përkrah Lionel Messit në një ekip, pavarësisht rivalitetit armiqësor në të kaluarën. Lionel Messi është lojtar i lirë tani për tani, pasi marrëveshja me Barcelonës i skadoi më 30 qershor, dhe është përfolur për një kalim të mundshëm të tij në PSG. Megjithatë, Messi duket se do të vijojë të jetë rival i Ramosit, pasi argjentinasi besohet të ketë arritur marrëveshje të re me Barcelonën për ta vazhduar qëndrimin në Camp Nou.
Duke folur si lojtar i PSG-së për Messin, Ramosi tha: “Më pëlqen të luaj me lojtarët më të mirë dhe Messi është njëri prej më të mirëve në botë. Gjithmonë e kam thënë se Messi gjithmonë do ta ketë një vend në ekipin tim.” Ramosi iu bashkua PSG-së këtë verë si lojtar i lirë, duke u larguar nga Real Madridi pas plot 16 vjetëve. Gjatë asaj kohe, qendërmbrojtësi spanjoll ishte rival i madh i Messit. Por mes tyre ekziston një respekt i madh, pavarësisht armiqësisë në fushë ndër vite dhe Ramos shpreson se një ditë do të luajë përkrah gjashtë herë fituesit të Topit të Artë.