Dëshmi të ndryshme rrëqethëse për aksidentin tragjik në Kroaci me autobusin e linjës Frankfurt-Kosovë, vijojnë të dalin në media.

Në incidentin ku humbën jetën 10 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjera, mediat kroate kanë intervistuar një prej pasagjerëve të mbijetuar.

Ramo Gashi rrëfen se ato që pa me sytë e tij këtë të dielë ishin të ngjashme me skena të filmave horror.

“Një moment ndjeva një si shpërthim të fortë, më pas pashë lëndinën aty pranë të mbushur me njerëz. Pashë gjithçka, njerëz pa krahë, të vdekur, të plagosur që rënkonin, gjithçka, një tmerr i vërtetë,” thotë ai.

Deri më tani, siç bëjnë me dije mediat vendase, 14 persona kanë lënë spitalin dhe po strehohen në një hotel deri në një qetësim të ngjarjes.

Dita e hënë u shpall ditë zie në Kosovë në nder të personave që humbën jetën.