Nga Plator Nesturi

Çelja e sezonit të ri parlamentar paraqitet shumë intrigues ndërsa ish-opozita e vjetër që braktisi mandatet, rikthehet si opozitë e re duke zëvendësuar pas dy vjetësh deputetët e listës së poshtme të saj. Shtatori përbën kështu jo vetëm fillimin e sfidës së punës së parlamentarëve të rinj në këtë mandat, por dhe për faktin se që në ditët e para të tij do të shihet nëse salla e parlamentit do të jetë thjesht fushë beteje politike apo do të gjejë vend thirrja për bashkëpunim për hir të reformave dhe interesave të vendit. Deri atëherë mbetet nën vëzhgim PD dhe lidershipi i saj si për qëndrimet që do të përcjellin gjatë kësaj periudhe ashtu dhe qasjen në raport me vendin dhe ndërkombëtarët. Sfidat do të jenë të thekshme që në nisje.

Çështja e presidentit të ri nëse ndërkohë do të jetë shprehur dhe Gjykata Kushtetuese për shkarkimin e Metës, mbetet në krye të listës me të cilat do të duhet të përballet parlamenti i ri. Sidoqoftë tema e presidentit të ri mund të shërbejë dhe shtytje për nisjen e një dialogu midis maxhorancës dhe opozitës dhe që mund të shtrihet e të zgjerohet dhe në fusha të tjera. E gjithë kjo mund të çojë drejt një procesi për një marrëveshje më të gjerë midis dy palëve, gjë e cila është ripërsëritur shpesh nga kryeministri Rama që i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit pa cak me opozitën. Në këtë paketë nuk mund të mos përfshihet dhe çështja e zgjedhjeve vendore që ndonëse pret një vendim nga Gjykata Kushtetuese, mund të mbështetet dhe mbi një marrëveshje politike. Përveç bashkive të ndryshme në të cilat mungon kryetari si në Shkodër, Durrës, Rrogozhinë, Dibër, Lushnjë etj, zgjedhjet mund të përfshijnë dhe ato bashki në të cilat është votuar me vetëm një kandidat, pas braktisjes së zgjedhjeve nga opozita.

Gjithsesi, për sezonin e ardhshëm parlamentar mbeten dhe shumë projektligje të cilat nuk arritën do të shqyrtohen nga parlamenti që mbylli mandatin. Janë rreth 30 projektligje të tilla, që prekin sfera të ndryshme, që nga krijimi i një regjistri kombëtar për personat e dënuar për krime seksuale, faljen e gjobave gjatë pandemisë, pensionet e minatorëve, ndryshime në Kodin Penal dhe atë të Kodit të Familjes dhe deri tek projektligji për referendumet vendore dhe kombëtare si dhe projektligji për amnistinë fiskale dhe penale. 19 prej këtyre projektligjeve vijnë si iniciativa nga deputetët.

Pjesa tjetër e projektligjeve janë të qeverisë dhe duket se nisma që parashikon deklarimin e parave dhe pasurive të padeklaruara më parë, duke paguar një tarifë nga 5 deri në 10 % të vlerës së parave apo pasurive të paluajtshme do të ketë debat të fortë aq sa kritikat për rrezikun e legalizimit të parave të pista dhe pasurive të paligjshme ka bërë që nisma të pezullohet dhe Kryeministri ka pohuar se do bëhet ekspertizë ndërkombëtare për të ndryshuar projektligjin. / Fjala.al/