Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca vizitoi të mërkurën në Vorë dhe Kashar, të Tiranës, tre fabrika të reja ultramoderne, ndërtuar me mbështetjen e AZHBR-së nëpërmjet Programit IPARD.
Kryeministri i cilësoi këto investime moderne, “pjesë të gjeneratës tjetër, pionere të një zhvillimi të ri ekonomik e bujqësor të Shqipërisë, që do të hyjnë së shpejti në prodhim duke i dhënë një shtysë të re përpara punësimit cilësor, eksporteve dhe sigurisë ushqimore të vendit”.
Gjatë vizitës së tij në Vorë, kryeministri Rama u ndal në fabrikën e përpunimit të frutave “Capital Resourses”.
Drejtoresha Krifca e informoi kryeministrin se, ky subjekt është mbështetur nga AZHBR, me një kontratë të firmosur në nëntorin e vitit të kaluar dhe investimi i ri, parashikon të përfundojnë në nëntor të këtij viti.
“Kjo është një fabrikë e përpunimit të frutave, të teknologjisë së lartë që aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe ky investim i hap rrugë eksportit të frutave të përpunuara “made in Albania” në tregjet europiane e më gjerë”- tha Krifca.
Kompani “Capital Resourses” bashkëpunon me mbi 200 furnitorë, fermerë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe aktualisht eksporton fruta të përpunuara në Itali, Holandë, Spanjë, Kosovë, Portugali dhe me investimin e ri, kompania synon zgjerimin e eksporteve.
Krifca bëri të ditur se, përmes programit IPARD aktualisht kemi në proces edhe 13 investime të tjera të rëndësishme në sektorin e përpunimit të frutave. Ndërsa numri i punësuarve nga projektet e IPARD arrin në 10 mijë të punësuar.
Vlera e investimit të kësaj fabrike është mbështetur 50% grand nga IPARD.
Në fabrikën e dytë Amg Food, në Vorë, kryeministri Rama, ndoqi nga afër ecurinë e punimeve në ngritjen e një stabilimenti të ri, modern të përpunimit të mishit.
Përfaqësuesi i kompanisë u shpreh, se falë mbështetjes nga AZHBR, synojmë që të arrijmë deri në 5 ton mish të përpunuar në ditë, sipas standardeve më të mira duke garantuar siguri ushqimore maksimale në treg dhe për eksport.
Investimi i ri është mbështetur me 4 milionë euro grant nga IPARD, ndërsa vlera totale e investimit kap shifrën e 10 milionë eurove.
Kryeministri Rama e cilësoi këtë një investim të rëndësishëm që do të japë impakt në të gjithë zinxhirin e zhvillimit të sektorit të blegtorisë, sipas standardeve më të mira.
Rama u shpreh se “kemi kaluar nga faza e therjes së mishit në rrugë dhe fushë. Tani thertoret kur lidhen me një pikë si kjo fabrikë, edhe nevojat e tregut janë më të mëdha e kështu rritet edhe puna e thertoreve dhe industria reflekton çmime konkurruese”.
Faza tjetër, theksoi Rama, është kur ju me këto investime të ktheheni në sinergji për rritjen e prodhimit blegtoral vendas duke u bërë promotor zhvillimi. Ne mund t’ju ndihmojnë t’ju hapin tregun e eksporteve që do të rrisë volumin e kësaj industrie”.
Ndërsa në Kashar, Rama vizitoi një tjetër investim modern të përpunimit të frutave të thata, që ka përfituar nga mbështetja e AZHBR-së.
Përfaqësuesi i kompanisë u shpreh se, përmes teknologjive të reja dhe këtij investimi të rrisin eksportin.
“Ky investim tha ai , i shërben edhe fermerëve të rrisin prodhimin e frutave të thata, pasi fabrika e re kërkon kapacitete të mëdha prodhimi dhe ne jemi të gatshëm për grumbullimin e këtij prodhimi nga fermerët”.
Kompani Palma, është tashmë markë në përpunimin e frutave të thata dhe eksportin e tyre në tregjet e huaja.