“Certifikata e vaksinimit nuk duhet të jetë parakusht për ushtrimin e të drejtës për të lëvizur i lirë.” Ka qenë kjo përgjigja që ka dhënë Komisioni Evropian për vendimin e marrë së fundmi nga Malta për të mbyllur kufijtë për të pavaksinuarit.

I pyetur për rastin në fjalë, përfaqësuesi i KE, për drejtësinë, barazinë dhe mbizotërimin e ligjit, tha se prezenca e variantit Delta po rrit ndjeshëm rastet në vendet anëtarë, por shtoi se kjo nuk duhet të kthehet në formë diskriminimi për ata që nuk janë vaksinuar.

Christian Vigkant bëri gjithashtu të ditur se KE është në kontakt me Maltën dhe se tema e mbylljes së kufijve do të diskutohet sot në mbledhjen e koordinuar të shteteve anëtarë.

“Malta informoi Komisionin dhe Shtetet Anëtare për kufizime të reja që do të hyjnë në fuqi në 14 korrik. Ne po shohim një numër në rritje të rasteve me koronavirus në shtete të ndryshme anëtare si rezultat i variantit Delta dhe është e vërtetë që Shtetet Anëtare mund të vendosin kufizime për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Sidoqoftë, çdo masë që kufizon lëvizjen e lirë duhet të jetë proporcionale dhe jo-diskriminuese. Certifikata e vaksinimit mund të mos jetë parakusht ushtrimin e lëvizjes së lirë. Ky është një nga parimet kryesore të rregullores për certifikatat digjitale të BE. Ne jemi të shqetësuar se këto masa mund të diskriminojnë ata që nuk janë vaksinuar plotësisht. Jemi në kontakt me Maltën dhe po kërkojmë shpjegime për këto masa dhe do t’i diskutojmë këto çështje në takimin koordinues me shtetet anëtare.”