Punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës po vijojnë në disa lote të saj, me qëllim përfundimin sa më të shpejtë të projektit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur sot se në kantierin e Unazës Verilindore loti i II-të q% nis nga Kthesa e Saukut deri te Bregu i Lumit filloi faza e parë e betonimit të soletës së tunelit.

“Punimet do të vazhdojnë me tre turne, pa ndërprerje, me qëllim që ky segment të jetë gati për qarkullimin e automjeteve sipas afatit të përcaktuar në kontratë”, bën të ditur ARRSH-ja.

Projekti për këtë zonë, e cila integron Shkozën me unazën e madhe të qytetit, do të plotësojë të gjitha standardet e kategorive urbane të nivelit A.

Përfundimi i këtij segmenti do të lehtësojë një herë e mirë trafikun në rrugët e kryeqytetit.
Autoritetet janë në fazën e projektimit të dy segmenteve të fundit që plotësojnë Unazën e Madhe të Tiranës: pjesën nga rrethrrotullimi “Shqiponja” te Bulevardi i Ri dhe aksin nga Bulevardi i Ri në Shkozë. Në këtë aks parashikohet të ndërtohen vepra arti dhe rrugë dytësore të cilat do të lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit.

Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj në vitin 2023 lehtëson trafikun brenda Tiranës, ndërsa e lidh kryeqytetin me të gjithë rrugët dalëse kombëtare.