Deputetja socialiste Vasilika Hysi, njëherazi edhe nënkryetare e Kuvendit, ka mbajtur sot fjalën e saj të fundit në Kuvend.
E përfshirë nga emocionet, ajo u shpreh se është bërë më e mira në këtë parlament duke theksuar se mbetet ende shumë për t’u bërë.
“Para 12 vitesh PS dhe mbështetësit më zgjodhën deputete. Për mua dhe shumë kolegë që sot është seanca e fundit, ky moment ka emocione pasi mbyllet një periudhë angazhimi me shumë përgjegjësi me dilema nëse kemi bërë më të mirën apo mund të kishim bërë edhe më mirë, a e kemi përmirësuar jetën e njerëzve. Kur kthehesh pas në kohë vëmë re se shumë gjëra do i kishim bërë ndryshe. Koha do e tregojë ku kemi gabuar. Ka ende shumë për të bërë. Dimensioni dhe zëri i atyre që nuk kanë zë, ka ardhur në parlament nga gra dhe burra. Kemi bërë atë që shumë kolegeve tona i është dashur më shumë për të bërë. Gratë dhe burrat që do ulen në këtë sallë të çojnë përpara këtë fokus. Falë edhe mirëkuptimit dhe mbështetjes të Taulant Ballës dhe Gramoz Ruçit në vitet 2017-2021 u bë e mundur të ndërmarrim nisma ligjore shumë të mira. Kemi kthyer në realitet ëndrrat e shumë grave dhe vajzave që ka dashur që zëri të dëgjohet. Si anëtare e vetme grua në reformën në drejtësi, ndihem e privilegjuar për arritjet, kodin e drejtësisë penale për të miturit. Falënderim të veçantë për kryetarin. Falënderim për punën e stafit të Kuvendit. Falënderoj një për një anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë në çdo nivel të cilët me punën e tyre të palodhur kanë bërë të mundur mbarëvajtjen e punimeve në Komisione dhe nënkomisione”, tha deputetja.